OKB: Refugjatët në ishujt greke, viktima të agresioneve seksuale

schedule18:52 - 9 Shkurt, 2018

schedule 18:52 - 9 Shkurt, 2018

Agjencia e OKB-së për refugjatët ka denoncuar se refugjatët e strehuar në ishujt grekë bien pre e agresioneve seksuale. UNHCR citon të dhënat e mbledhura nga rreth 620 refugjatë, ndërsa paralajmëron se shifra reale e viktimave është shumë më e lartë.

Refugjatët në qendrat e pritjes në ishujt grekë përballen vazhdimisht me rrezikun për t’u kthyer në viktima të dhunës seksuale. Denoncimi është bërë këtë të premte nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, që ka shprehur shqetësim për informacionet e përcjella nga azilkërkuesit. UNHCR ka marrë të dhëna nga 622 refugjatë, që i kanë mbijetuar dhunës seksuale, që në të paktën 28 për qind të rasteve është verifikuar pas arritjes në Greqi. Por numri i agresioneve, sipas agjencisë së OKB-së, ka gjasa që të jetë shumë më i lartë.

Zëdhënësja Cecile Pouilly ka deklaruar se refugjatët që bien prej e dhunës ngurrojnë të denoncojnë për shkak të turpit dhe frikës për diskriminim apo hakmarrje. “Ndaj numri i incidenteve ka gjasa të jetë shumë më i lartë nga sa është raportuar. OKB aktualisht ka vetëm një ide të pjesshme të asaj që ndodh në të vërtetë”, ka deklaruar Pouilly. Sipas zyrtares, më shqetësuese situata paraqitet në qendrat e pritjes të ishujve Lesbos dhe Samos, ku disa mijëra refugjatë vazhdojnë të qëndrojnë në kushte të rënda strehimi dhe rrjedhimisht siguria e tyre është e cënuar. Qendrat në fjalë mbajnë aktualisht rreth 5 mijë e 500 persona, që është dyfishi i kapaciteteve të tyre./abcnews.al