Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

OKB: Duhen 296 milionë dollarë për Venezuelën pas goditjes së tërmeteve/ Apel edhe për lirimin e fondeve të ngrira

schedule09:00 - 9 Korrik, 2026

schedule 09:00 - 9 Korrik, 2026

Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për mobilizimin e 296 milionë dollarëve ndihmë humanitare për të mbështetur 1.3 milionë persona të prekur nga tërmetet e dyfishta që goditën Venezuelën më 24 qershor.

Kreu i operacioneve humanitare të OKB-së, Tom Fletcher, deklaroi gjatë një takimi virtual me shtetet anëtare se fondet janë të nevojshme për të mbuluar nevojat urgjente gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

“Ne kemi një plan të qartë: na duhen 296 milionë dollarë për të arritur 1.3 milionë njerëz në nevojë socio-ekonomike për gjashtë muaj. Ky është një plan i kufizuar në kohë”, u shpreh Fletcher.



Apeli i ri i shtohet planit humanitar prej 632 milionë dollarësh të prezantuar më herët këtë vit për Venezuelën, ku rreth 8 milionë njerëz vlerësohen se kanë nevojë për ndihmë.

Sipas OKB-së, para tërmeteve ishin siguruar vetëm 115 milionë dollarë për këtë plan, ndërsa pas katastrofës kontributet u rritën, duke e çuar shumën e disponueshme në rreth 300 milionë dollarë. Megjithatë, Fletcher theksoi se ende ekziston një mungesë financimi prej 627 milionë dollarësh për të përmbushur nevojat humanitare më urgjente.

Në të njëjtin takim, ministri i Jashtëm i Venezuelës, Ivan Hill, u bëri thirrje vendeve që mbajnë të ngrira asetet financiare të vendit t’i lirojnë ato për të ndihmuar në procesin e rindërtimit.

“U bëjmë thirrje të gjitha vendeve që ende kanë asete të ngrira të Venezuelës t’i lirojnë ato, në mënyrë që të mund të përdoren për rindërtimin e zonave të prekura”, deklaroi Hill.

Venezuela po përballet me një nga katastrofat natyrore më të rënda të viteve të fundit, ndërsa autoritetet dhe organizatat ndërkombëtare po intensifikojnë përpjekjet për të siguruar ndihmë për mijëra familje të prekura.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!