OFL i kërkon llogari për pasurinë: Pengmarrje dhe akuza për vrasje, CV-ja kriminale e Gjergj Cukalit

schedule12:51 - 11 Shkurt, 2020

schedule 12:51 - 11 Shkurt, 2020

OFL i ka dërguar sot formularin për deklarimin e burimit të pasurisë Emiljano Shullazit dhe Gjergj Cukalit. Sipas njoftimit të policisë, ata do të duhet konfirmojnë se pasurinë e kanë vendosur nga burime të ligjshme, ndryshe OFL do të fillojë procedurat e sekuestrimit.

Kush është Gjergj Cukali?

Gjergj Cukali është një personazh mjaft i njohur në botën e krimit. Më 24 nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Gjergji Cukalin me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit F.D., ngjarje e ndodhur në vitin 2004.

Arrestimi në 2016

Ndërkohë në korrik të 2016, ai u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Tangent”, ku Cukali ishte drejtuesi i një rrjeti të shpërndarjes së kokainës.

Atë kohë u proceduan penalisht 7 persona, ndërsa 9 të tjerë u arrestuan. Të arrestuarit ishin shtetas nga disa qytete të Shqipërisë, por edhe nga Kosova. Ndër ta kishte edhe të dënuar më herët për vepra të rënda penale.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin anëtarët e grupit dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike kokainë në zona të ndryshme të Tiranës si “Myslym Shyri”, ish-Blloku, sheshi “Willson”, në rrugën “Ali Demi”, në zonën e Porcelanit dhe në rrugën e Elbasanit.

Përmes veprimeve procedurale dhe duke përdorur metoda speciale, Policia e Tiranës kishte dokumentuar aktivitetin kriminal të këtij grupi. Hetimet patën provuar se shtetasit e arrestuar e siguronin lëndën narkotike përmes Gjergji Cukalit dhe më pas e shpërndanin, sipas porosive të marra nga klientët.

Trafikantit i zbulohet identiteti tjetër

Gjergji Cukali, i njohur si “i forti i Myslym Shyrit”, kishte edhe një identitet tjetër, gjë që iu zbulua menjëherë pas arrestimit në vitin 2016. Në atë kohë mbante identitetin Ergi Hoxha. Pasaporta biometrike, karta e identitetit dhe patenta me të njëjtin emër, iu sekuestruan nga policia, e cila ndaj Cukalit kishte ngritur edhe akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

Sëmundja që e dërgoi nga burgu në shtëpi

Pas një viti qëndrimi në burg, Gjergji Cukali sërish arrin që të dalë. Një vendim i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që mban datën 24 Maj 2017, i dha lirinë Gjergji Cukalit duke vendosur masë sigurie “arrest shtëpie”. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë argumenton se u vendos që Gjergji Cukali të qëndrojë në “arrest shtëpie” për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Rezulton se “i forti i Myslym Shyrit” vuante nga astma bronkiale dhe kishte kriza të shpeshta. “Për këtë arsye,- thotë Gjykata e Lartë, -Gjergji Cukali nuk mund të mjekohet në Institutin e Kujdesit të Veçantë Shëndetësor të të burgosurve Tiranë.

Qëndrimi në burg i vë jetën në rrezik”. Nisur nga ky raport mjekësor, Gjykata e Lartë vendosi të rrëzojë dy masat e sigurisë “arrest me burg” të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe të Apelit Tiranë, duke vendosur “arrest shtëpie”, si masë më të përshtatshme duke parë gjendjen e të pandehurit.

Arrestimi i tij në vitin 2018

Gjergj Cukali nuk qëndroi dot larg telasheve. Në vitin 2018 arrestohet sërish për thyerjen e masës së sigurisë. 40-vjeçari “i dënuar me masën e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, është kapur në flagrancë larg banesës së tij pasi kishte shkelur vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë”, njoftonte atë kohë policia e Tiranës.

Arrestimi në 31 maj 2019
Mëngjesin e 31 majit 2019 Policia e Tiranës njoftoi se ka bërë të mundur arrestimin e Gjergj Cukalit, ku është akuzuar për një vepër të rëndë penale, atë të vrasjes me paramendim. Hetuesit pretendonin se kishin prova të forta që vërtetojnë përfshirjen e tij në vrasjen e ish-efektivit të policisë Arben Bilali me 30 janar 2019.

Cukali u lirua disa muaj më vonë pasi gjykata e Apelit dha masën e sigurisë “detyrim paraqitje”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!