Siguria në shkolla ka qenë një temë që është komentuar këtë të premte në studion e ABC Live me profesorin e kriminologjisëm Ervin Karamuço.
Karamuço në fjalën e tij është shprehur se kohët e fundit siguria në institucionet tona shkollore është në rrezik për shkak të grupeve të ndryshme që funksionojnë në ambientet e jashtme ku kryesisht shesin lëndë narkotike.
Sipas tij vendimi për të pasur një oficer sigurie në këto ambiente është një hap i rëndësishëm por sërish ka shumë për të bërë në mënyrë që fëmijët të jenë të sigurt, e mos kemi raste si në SHBA kryesisht ku ndodh dhe vrasja e nxënësve.
“Organizimi që ka nisur për sigurinë në shkolla ka nisur me oficerët e policisë që shikojnë kontigjenët e rrezikshëm përreth shkollave dhe ka një komunikim të ngushtë me profesorët.
Organizimi që e kanë menduar strukturat e sigurisë në vendin tonë, është ai që ndiqet në SHBA. Në SHBA kjo gjë është më e ndjeshme pasi ka pasur edhe përdorim të armëve të zjarrit brenda shkollës ndërsa në vendin tonë një gjë e tillë bëhet për armëmbajtje pa leje të ftohta dhe lëndë narkotike.
Siç kemi folur për zonat e nxehta të krimit ka edhe shkolla problematike, siç janë ato shkollat në rrethinat e Tiranës ku ka një mbipopullim ose për shkak të grupeve që mund të funksionojnë në këto zona. Ka dhe vënien e lokaleve në shërbim për prostitucion apo trafikim të qenieve njerëzore. Shkolla është shumë e rëndësishme dhe ne nuk duhet që të lejojmë që nxënësit të bien pre e këtyre modeleve të këtyre grupeve kriminale”, është shprehur ai.
Ndër të tjera profesori i kriminologjisë është shprehur se situate në shkolla është kthyer në një këmbanë alarmi ndaj është e rëndësishme që të fokusohemi në rritjen e sigurisë së tyre.
“Ne nuk dimë kush na hyn në shkolla, nuk kemi kontroll në këto shkolla dhe na duhet që të rrisim vigjilencën për të ruajtur sigurinë e nxënësve. E mira është që të jenë struktura të posaçme për sigurinë në këto institucione”, ka thënë Karamuço. /abcnews.al