Ofertat për yjet, ecuria e deritanishme dhe titulli: Safet Gjici hap “kartat”

schedule18:22 - 19 Janar, 2020

schedule 18:22 - 19 Janar, 2020

Kukësi duhet të fitojë patjetër titullin kampion këtë sezon. Kjo është kërkesa e presidentit të nderit, Safet Gjici, në intervistën për Abc News. Gjici flet edhe për largime të mundshme në janar.

I ka vendosur vetes një emër tjetër. Nga president i plotfuqishëm i Kukësit, Safet Gjici quhet president nderi, veçse dukshëm mbetet po aq i plotfuqishëm dhe e pa të udhës të vizitonte ekipin, në seancën e parë stërvitore në Shqipëri, menjëherë pas mbërritjes nga Turqia.

Kryetari i sotëm i Bashkisë së Kukësit i mbajti jo pak futbollistët dhe stafin teknik në qendër të fushës, në Kompleksin e Futbollit “Football Republic” në zonën e Mulletit, duke u folur siç u fliste kur ishte president. Ndarja e detyrave, për shkak të postit publik, nuk e pengon Gjicin të japë tonin në klubin dhe në skuadrën kuksiane, ndërsa flet për Abc News për fazën përgatitore në Antalia.

“Pres shumë, pasi ekipi është stërvitur shumë në Turqi, nga dy herë në ditë. Pavarësisht se nuk kanë fituar ndeshjet miqësore, kanë zhvilluar ndeshje të mira. Gjithsesi fusha e lojës në kampionatin shqiptar do të tregojë se çfarë kanë bërë gjatë fazës përgatitore. Pres shumë nga disa lojtarë që bëjnë diferencën, si Abazaj, Shkurtaj, Gavazaj apo edhe lojtarë të tjerë”, thotë fillimisht Gjici për gazetarin Bledar Kuka.

Është folur shumë se mund të ketë largime nga Kukësi. “Edhe sipas stafit teknik mendimi është se nuk është nevoja për lojtarë të tjerë. Nëse do kishte ndonjë lojtar që të bënte diferencën, pa diskutim që klubi do ta merrte. Sa i takon lojtarëve për në dalje, patjetër që klubi ka interes të shesë futbollistë. Gjithsesi oferta zyrtare te klubi nuk kanë ardhur deri tani, por ka pasur menaxherë të interesuar nga klube të mëdha në Europë”, shtoi presidenti i Kukësit.

A janë kërkuar 500 000 euro për Shkurtajn, dhe a mund të ketë largime në janar? “Ka interes për 3-4 lojtarë, jo vetëm për Shkurtajn. Nëse do të biem dakord, pse jo. Edhe ne janar, nëse ka interes klubi. Nëse nuk ka interes, atëherë do të vazhdojmë. Kemi një kampionat shumë të fortë dhe nuk është e lehtë që të marrësh titullin kampion duke luajtur jashtë fushe”, deklaron kreu i klubit verilindor.

Kukësi është në vend të parë pas gjysmës së sezonit. “Jam i kënaqur, por edhe nuk jam i kënaqur. Në fakt më kënaq vendi i parë dhe normalisht kënaqesh kur je i pari. Kemi pasur mundësinë të mos gabojmë në shumë ndeshje. Kemi bëtë hapa falsë.

Lojtarët janë dhe duhet që stafi teknik të marrë maksimumin e tyre. Kemi luajtur të gjitha ndeshjet jashtë dhe të jesh në vend të parë është meritë edhe e skuadrës, edhe e menaxhimit dhe gjithë klubit. Dolëm kampionë dimri, por duhet të dalim kampion vere, pasi atëherë merret kupa”, përfundon Gjici. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!