Ofensiva e Ankarasë, Rusia: Nuk do ta lejojmë përplasjen turko-siriane

schedule23:48 - 15 Tetor, 2019

schedule 23:48 - 15 Tetor, 2019

Qeveria ruse është shprehur e gatshme të ndërhyjë në veri të Sirisë për të shmangur një përplasje ushtarake mes forcave vendase siriane dhe atyre turke, që po avancojnë ofensivën kundër milicive kurde. Për Moskën, një përplasje e tillë do të ishte një katastrofë.

Rusia ka deklaruar se do të angazhohet për të mos lejuar një përplasje turko-siriane, teksa ofensiva e ushtrisë turke në veri të Sirisë vazhdon. “Një gjë e tillë do të ishte e papranueshme, ndaj dhe ne nuk do ta lejojmë”, ka deklaruar i dërguari i posaçëm i Moskës për Sirinë, Aleksander Lavrentjev.

Rusia është një aleate e rëndësishme ushtarake e liderit sirian Bashar al Asad dhe njëkohësisht e presidentit turk Reçep Taip Erdogan. Gjatë një vizite në Emiratet e Bashkuara Arabe, Lavrentjev e cilësoi ofensivën turke “të papranueshme”.

Ai tha se edhe autoritetet ushtarake turke dhe ato siriane janë në kontakt me njëra-tjetrën për të shmangur një përplasje të mundshme. Edhe Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur se trupat e saj, që janë vendosur në Siri që në vitin 2015, po patrullojnë vijën e kontaktit mes forcave siriane dhe turke

Ofensiva e Ankarasë, që nisi javën e kaluar pasi administrata amerikane njoftoi tërheqjen e trupave nga rajoni, synon të largojë milicitë kurde nga rajoni kufitar turko-sirian. Ankaraja i konsideron milicitë në fjalë dhe në veçanti Forcat Demokratike Siriane një organizatë terroriste.

Qeveria turke synon të krijojë një zonë të sigurtë në rajonin kufitar, ku të mund të vendosë refugjatët sirianë që strehohen aktualisht në Turqi. Shumë prej tyre nuk janë kurdë dhe kritikët kanë paralajmëruar se kjo mund të çojë në një spastrim etnik të popullsisë kurde./ABC News Albania