Odiseja e emigrantëve në Kakavijë, përjetimet e qytetarëve që kaluan 72 orë në kufi për një tampon

schedule20:13 - 17 Gusht, 2020

schedule 20:13 - 17 Gusht, 2020

Mijëra qytetarë shqiptarë qëndruan për ditë të tëra në radhë për të kaluar në tokën greke përpara se shteti fqinj të niste një regjim të ri kontrolli për shtetasit që do të kalonin në pikat doganore.

Gazetari Juxhin Mustafaraj dhe operatori Ndriçim Maku ishin në Kakavijë në 24 orët e fundit, duke përcjellë përjetimet dhe sakrificat që fëmijë, gra dhe të moshuar kaluan në doganë në pritje të tamponëve për Covid-19.

Materiali në vazhdim pasqyron atë që ndodhi në pikën doganore të Kakavijës deri në momentin që pala shqiptare dhe ajo greke dakordësuan kalimin e të gjithë qytetarëve që prisnin në radhë.

30 vite më parë shume prej këtyre shqiptarëve ngjitën malet, e kaluan telat me gjemba, në kërkim të një jete më dinjitoze  dhe shtegu lirie, i mohuar padrejtësisht  për  pesë dekada nga regjimi diktatorial.

Çdo verë, kur kthehen në shtetin grek ku kanë ndërtuar jetët e tyre, krahas mallit për të afërmit që lënë pas, këta qytetarë përballen me pritje me orë të gjata në radha për të kaluar pikën doganore.

E tillë ishte edhe kjo pritje që morën si shpërblim mesin e këtij gushti ku mijëra familje u detyruan të qëndrojnë me fëmijët e tyre në temperatura të larta, pa kushtet më minimale për të ruajtur higjienën, teksa në kontrast me këto pamje Ministria e Shëndetësisë raportonte për jetë të humbura nga covid-19 dhe apelonte për distancim fizik.

“Në shqipëri mos e hedhshim më këmbën. Kemi dy ditë e dy netë për 5 minuta me makinë. Nuk dimë ku të vemi. Turp për vendin tonë, na vjen turp të vijmë. Vijmë 10 ditë për tu qetësuar dhe shih si përfundojmë. Na sjellin ujë me bote, nuk jemi kafshë”, shprehen disa prej tyre.

Pritja ka qene sfilitëse për të gjithë por sidomos për të moshuarit dhe fëmijët.

Njësoj si këta fëmijë edhe Samueli 10 vjeçar po luante në rrugë, teksa prindërit e tij hidhnin sytë nga dogana për t’iu afruar kalimit të kufirit, pa ditur se paraditja e 15 gushtit do të ishte dita e fundit e jetës së tij kur një autoambulancë do ta përplaste për vdekje.

“Të gjithë fëmijët dalin në rrugë dhe luajnë. Fëmija ikën. Është vrarë një fëmijë 10 vjeç, ç’presim?! Përse? Një nënë po qan sot. Shteti i ka lënë shqiptarët rrugëve, gra, fëmijë, pleq, të sëmurë. Turp! Jazëk!”, shprehen më tej disa të tjerë.

Orët e pritjes dhe pamundësia për të reaguar fort kishte prodhuar portrete të trishta e pa shprese  në kërkim të një lajmi të mirë nga autoritetet policore.

Në mes të gjithë kësaj situate të zymtë kishte nga ata që në radhët kilometrike kishin gjetur mundësinë e artë për të bëre biznes.

Mbrëmja i gjeti më të lodhur dhe të dorëzuara ata që veten e gjetën në fund të vargut të makinave kur ora po shkonte 22:00, afati final që policia greke kishte paralajmëruar para se të kalonte nën një regjim të ri.

“Një situatë shumë e vështirë. Për fëmijët ka qenë një tmerr i vërtetë”.

Policia Shqiptare ngriti pika kontrolli në hyrje të Kakavijës për të mos lejuar afrimin e automjeteve të tjera teksa pala greke kishte fotografuar automjetin e fundit që do ti lejohej të hynte pa iu nënshtruar tamponit të detyrueshëm.

Lodhja tashmë lexohej në çdo fytyrë , ndërsa frika lidhej me kilometrat që duheshin përshkruar për të shkelur në tokën greke.

Për here të parë pas ditëve të gjata të pritjes Kakavija u zbraz nga mjetet dhe njerëzit, ndërsa punonjësit e doganës u përgatitën ti hapin rrugë protokolleve të reja të përcaktuara nga shteti grek për ti aplikuar nga e hëna e 17 gushtit, duke i dhënë fund odisesë së gjatë të pritjes së shqiptarëve që të preknin në tokën greke./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!