Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus i kërkoi Izraelit të dielën që lamë pas që të mundësojë urgjentisht hyrjen në spitalin Al-Shifa në Gaza dhe të krijojë një korridor humanitar.
“Ne i bëjmë thirrje Izraelit të lehtësojë urgjentisht aksesin dhe një korridor humanitar në mënyrë që OBSH dhe partnerët të mund të kryejnë transferimin e pacientëve për shpëtimin e jetës,” ka shkruar ai në një postim në platformën X. Ai tha se 21 pacientë kanë vdekur që kur Spitali Al-Shifa u rrethua më 18 mars, me armiqësitë që vazhdojnë në afërsi të tij, sipas përditësimeve nga një punonjës shëndetësor në objekt.
“107 pacientë ndodhen në një ndërtesë joadekuate, brenda kompleksit të spitalit, pa mbështetjen e nevojshme shëndetësore, kujdesin mjekësor dhe furnizimet. Pacientët janë zhvendosur disa herë brenda kompleksit të spitalit që nga fillimi i rrethimit. Midis pacientëve janë 4 fëmijë dhe 28 pacientë kritikë të cilëve u mungojnë mjetet e nevojshme të kujdesit. Shumë prej tyre kanë plagë të infektuara dhe janë të dehidratuar,” shprehet më tej ai.
Tedros tha se që nga dje, tani ka vetëm një shishe ujë në dispozicion për çdo 15 persona, duke çuar në përhapjen e shpejtë të sëmundjeve ngjitëse për shkak të kushteve shumë josanitare dhe mungesës së ujit. /abcnews.al