Përdorimi i tepërt i antibiotikëve për të luftuar pandeminë Covid-19 do të forcojë rezistencën bakteriale dhe do të çojë në më shumë vdekje gjatë krizës dhe më gjerë, paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH).
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha të hënën se një “numër shqetësues” i infeksioneve bakteriale po bëhej gjithnjë e më rezistent ndaj ilaçeve që përdoren tradicionalisht për trajtimin e tyre.
“Pandemia Covid-19 ka çuar në një përdorim të shtuar të antibiotikëve, i cili në fund të fundit do të çojë në nivele më të larta të rezistencës bakteriale që do të ndikojnë në barrën e sëmundjes dhe vdekjeve gjatë pandemisë dhe më gjerë,” tha Tedros në një konferencë për shtyp virtual nga selia e OBSH-së në Gjenevë.
Organizata ka lëshuar udhëzime për mjekët që të mos përdorin terapi me antibiotikë ose profilaksi për pacientët me simptoma më të buta të Covid-19.
Duke nënvizuar përdorimin e papërshtatshëm, ai tha se ekzistonte një “përdorim i tepërt” i antibiotikëve në disa vende, ndërsa në shtetet me të ardhura të ulëta ilaçet e tilla për shpëtimin e jetës nuk ishin të disponueshme “duke çuar në vuajtje dhe vdekje të pacientëve”./abcnews.al