Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) së fundmi ka paralajmëruar se “lodhja pandemike” po kërcënon aftësinë e Evropës për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.
Mediat e huaja bëjnë me dije se drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, në një konferncë për mediat këtë të martë është shprehur se “sakrificat e mëdha” të bëra nga njerëzit në të gjithë Evropën gjatë pandemisë kanë shkaktuar një kosto të jashtëzakonshme, e cila na ka lodhur të gjithëve, pavarësisht se ku jetojmë, ose çfarë bëjmë.
“Në rrethana të tilla është e natyrshme të ndihesh apatik dhe i demotivuar…të përjetosh lodhje”, tha Kluge.
Ndër të tjera zyrtari i OBSH-së citoi të dhëna nga një sondazh i kryer në rajon. Ai tha se nivelet e lodhjes kishin arritur 60% në disa raste dhe u bëri thirrje vendeve të qëndrojnë në kontakt me komunitetet lokale për të monitoruar përgjigjet e njerëzve ndaj pandemisë dhe nevojave të tyre.
Gjithashtu Kluge ka përmenduar festimet virtuale gjatë Ramazanit ose kinematë lëvizëse, si qasje të reja të suksesshme, që mund t’i ndihmojnë njerëzit të përshtaten me kushtet e reja të krijuara nga pandemia.
Shumë njerëz ndihen më pak të motivuar për të zbatuar masat mbrojtëse, pasi kanë jetuar me përçarje dhe pasiguri për muaj të tërë, thotë OBSH-ja.
“Por, megjithëse të lodhur, njerëzit duhet të ringjallin përpjekjet për të luftuar virusin”, ka thënë ai. e.su./abcnews.al