OBSH ngre alarmin: 200 rastet vetëm maja e ajsbergut, lija po përhapet në 20 shtete jo-endemike

schedule21:07 - 27 Maj, 2022

schedule 21:07 - 27 Maj, 2022

Ekspertët e shëndetit kanë ngritur shqetësimin për atë që është cilësuar si një situatë aspak e zakontë e epidemisë së lisë në rreth 20 vende, jo-endemike. Shumica e këtyre vendeve janë në Evropë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ato mbi 200 raste që janë konfirmuar në javët e  fundit mund të jenë thjesht maja e ajsbergut.

“Ne nuk e dimë nëse ajo që po shohim është vetëm maja e ajsbergut,” tha Sylvie Brian, drejtore e përgatitjes globale për sëmundjet infektive.

Megjithatë, bazuar në rezultatet e para të testeve, virusi nuk duket se ka pësuar mutacion. Që nga e mërkura, 219 raste ishin konfirmuar, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Sot, Ministria Spanjolle e Shëndetësisë raportoi 98 raste, Britania 90 dhe Portugalia 74. Në këtë vend të fundit, të gjitha rastet janë meshkuj, shumica nën 40 vjeç. Në të njëjtën kohë, autoritetet argjentinase konfirmuan sot se kanë zbuluar rastin e parë të lisë në Amerikën Latine, ndërsa po hetojnë një tjetër “të dyshuar”.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pacienti është “në gjendje të mirë”.

Ata që kanë rënë në kontakt me të janë nën vëzhgim dhe deri më tani nuk kanë shfaqur asnjë simptomë. Rasti i dyshuar është një spanjoll i cili ka mbërritur në vend të mërkurën dhe dje ka shfaqur lezione ulceroze. Ai është izoluar dhe po merr trajtim për simptomat. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!