OBSH: Më shumë se 161,000 fëmijë në Gaza janë vaksinuar kundër poliomielitit

schedule18:38 - 3 Shtator, 2024

schedule 18:38 - 3 Shtator, 2024

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi, në ditën e tretë të fushatës së vaksinimit masiv kundër poliomielitit në Gaza, se deri më tani ka vaksinuar rreth një të katërtën e fëmijëve nën 10 vjeç në atë territor palestinez.

Fushata e vaksinimit u përshpejtua pas zbulimit të rastit të parë të poliomielitit në Gaza muajin e kaluar dhe mbështetet në pauzat e përditshme tetë-orëshe në luftimet midis ushtrisë izraelite dhe lëvizjes militante Hamas në disa zona të enklavës së rrethuar.

Përfaqësuesi i OBSH-së për territoret e pushtuara palestineze, Rick Piperkorn, u tha gazetarëve se më shumë se 161,000 fëmijë nën moshën 10 vjeç u vaksinuan në pjesën qendrore të Gazës gjatë dy ditëve të para të fushatës, duke tejkaluar objektivin e caktuar prej rreth 150,000 në dy ditë, raporton Reuters.

“Po ecën mirë deri tani. Këto pushime humanitare po funksionojnë tani për tani. Kemi edhe 10 ditë”, tha përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ekipet shëndetësore do të shkojnë në jug më vonë këtë javë, ku ata synojnë të vaksinojnë rreth 340,000 fëmijë, dhe më pas do të shkojnë në veri të Gazës, tha Piperkorn.

Sipas një njoftimi të mëparshëm nga OBSH, të paktën 90 për qind e fëmijëve në Gaza duhet të vaksinohen që fushata të jetë e suksesshme dhe për të parandaluar përhapjen e poliomielitit në Gaza dhe jashtë enklavës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!