Organizata Botërore e Shëndetit u ka kërkuar qytetarëve nga e gjithë bota që të kujdesen për shëndetin e tyre mendor dhe fizik gjatë kësaj pandemie. Në daljen e sotme, drejtuesi i përgjithshëm i OBSH, u ka kërkuar të gjithëve që të vazhdojnë të mbajnë zakone të shëndetshme gjatë kësaj krize.
Ndër të tjera, Tedros Adhanom Ghebreyesus u shpreh:
“Gjatë kësaj kohe të vështirë, është e rëndësishme që të vazhdoni të kujdeseni për shëndetin tuaj fizik dhe mendor. Kjo jo vetëm që do u ndihmojë në terma afatgjatë, por gjithashtu do u ndihmojë që të luftoni Covid-19 nëse infektoheni. ”
Më tej, Ghebreyesus këshilloi gjithashtu se pak aktivitet fizik do u bënte mirë, por duke mbajtur distancë nga të tjerët.
“Nëse udhëzimet lokale ose kombëtare që keni marrë e lejojnë, dilni jashtë për një shëtitje, një vrapim ose një udhëtim dhe mbani një distancë të sigurt nga të tjerët. Nëse nuk mund të dilni nga shtëpia, gjeni një video-stërvitje në internet, kërceni me muzikë, bëni joga, ose ngjisni e zbrisni shkallët”, tha Tedros.
Kreu i OBSH theksoi që duhet të mbahet një dietë e shëndetshme, “mos tymosni, limitoni pirjen e alkoolit, evitoni pijet me sheqer dhe qëndroni fizikisht aktivë.”
Tedros Adhanom Ghebreyesus kishte dha dhe disa këshilla për personat që punojnë nga shtëpia:
“Nëse jeni duke punuar nga shtëpia, sigurohuni që të mos uleni në të njëjtin pozicion për periudha të gjata. Ngrihuni dhe bëni një pushim 3-minutash, çdo 30 minuta. Ne do të japim më shumë këshilla se si të qëndrojmë të shëndetshëm në shtëpi në ditët dhe javët e ardhshme.” /abcnews.al/

