Mbi 2 milion raste me koronavirus janë regjistruar në të gjithë botën gjatë javës së kaluar, ka deklaruar OBSH-ja- një rritje eksponenciale që nga fillimi i pandemisë në një periudhë kaq të shkurtër.
Në një analizë javore të COVID-19, OBSH tha për javën e dytë radhazi, se rajoni europian ka raportuar numrin më të madh të rasteve të reja, me më shumë se 1.3 milion raste të raportuara ose rreth 46% të totalit në të gjithë botën. Agjencia Shëndetësore e OKB-së tha se numri i viktimave ishte gjithashtu në rritje në Europë, me rreth 35% më shumë në krahasim me javën e kaluar.
“Megjithëse numri i viktimave po rritet gradualisht, përqindja e viktimave në krahasim me rastet mbetet relativisht e ulët, krahasuar me fazën e hershme të pandemisë në pranverë,” tha OBSH.
Agjencia gjithashtu vuri në dukje se janë rritur shtrimet në spital dhe mungesa e ICU për shkak të COVID-19 në 21 vende në të gjithë Europën.
Rreth 18% e personave të infektuar me COVID-19 janë shtruar në spital, dhe rreth 7% kanë nevojë të shtrohen në terapi intensive ose kanë nevojë për oksigjen.
Globalisht, OBSH-ja tha se vendet që kanë raportuar numrin më të lartë të rasteve mbeten të njëjta: India, SHBA, Franca, Brazili dhe Britania. s.ba/abcnews.al