OBSH: Fëmijët evropianë në rrezik ndaj përdorimit problematik të rrjeteve sociale

schedule15:39 - 25 Shtator, 2024

schedule 15:39 - 25 Shtator, 2024

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se përdorimi problematik i rrjeteve sociale është në rritje tek fëmijët në Evropë dhe se ata janë në rrezik të zhvillimit të një varësie ndaj lojërave online.

“Ne kemi nevojë për veprime urgjente dhe të qëndrueshme për të ndihmuar adoleshentët të ndalojnë përdorimin potencialisht të dëmshëm të mediave sociale, i cili është treguar se çon në depresion, ngacmim, ankth dhe performancë të dobët në shkollë”, tha drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.

Në vitin 2022, 11 përqind e adoleshentëve (13 përqind e vajzave dhe 9 përqind e djemve) kishin shenja të përdorimit problematik të rrjeteve sociale, ndërsa katër vjet më parë ishin shtatë përqind.

Të dhënat u morën në një anketë që përfshinte 280,000 fëmijë, të moshës 11, 13 dhe 15 vjeç, nga 44 vende të Evropës, Azisë Qendrore dhe Kanadasë.

Tek ata janë vërejtur simptoma të ngjashme me ato të varësisë, përkatësisht pamundësia për të kontrolluar përdorimin e tepruar, ndjenja e tërheqjes dhe braktisjes së aktiviteteve të tjera në favor të mediave sociale dhe pasojat negative të përdorimit të tepruar në jetën e përditshme.

Ky fenomen është më i përhapur tek adoleshentët rumunë nga mosha 13 deri në 15 vjeç, ku prek 28 për qind të tyre dhe më së paku është tek adoleshentët holandezë (tre për qind).

Arsyeja e shqetësimit është se një e treta e adoleshentëve luajnë çdo ditë online dhe 22 për qind e tyre luajnë për të paktën katër orë, sipas të dhënave të OBSH-së.

Rreth 12 për qind e adoleshentëve kanë sjellje problematike në lidhje me lojërat online, nga të cilët 16 për qind janë djem dhe 7 për qind janë vajza./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!