Laçi këtë verë ka bërë disa afrime të rëndësishme, ndërkohë që nga sezoni i kaluar ka ruajtur shumicën e titullarë. Vjet kurbinasit dolën në vendin e tretë dhe sivjet mund të tentohet edhe titulli kampion. Në emisionin “Pressing” në ABC News është i ftuar menaxheri i ekipit, Dario Pali, i cili ka folur në lidhje me skuadrën kurbinase dhe jo vetëm.
Madje ai bëri publik edhe një prapaskenë. “Ka qenë Marku pjesë e kombëtares për këto ndeshje”, u shpreh Pali, duke zbuluar se anësori i krahut të djathtë do të ishte pjesë e Shqipërisë për ndeshjet me Kazakistanin dhe Lituaninë.
Trajneri Reja e kishte parë Albion Markun në ndeshjen me Andorrën, si dhe në sfidën që Laçi luajti kundër Hapoel Beer Sheva. Në atë përballje lojtari i përshtatur në mbrojtës të djathtë pësoi një dëmtim, që e la jashtë Shqipërisë për herë të parë.
BOJKOTI – “Nuk isha unë në mbledhjen e Ligës, ishte presidenti. U vendos që bojkoti vijon, pasi kërkesat nuk janë plotësuar. Qeveria nuk ia ka vendosur veshin kërkesave. Tatimi mbi burimin rëndon mbi klubet, pasi ato e paguajnë. Në raport me konkurrencën kjo nuk ndihmon, madje edhe në raport me Kosovën. Sa nuk nis sezoni, ky bojkot mund ta çojë futbollin në një kolaps.
Tani kemi edhe kampionate të reja, U13 dhe U21. Normalisht do ketë shpenzime, një 20 vjeçar nuk luan pa pagesë. Klubi do ketë stafe shtesë, mjek, lojtarë. Është barrë ekonomike. Në klubin tonë kemi paguar edhe gjatë pandemisë, edhe gjatë bojkotit. Nga viti i ardhshëm duhet edhe ekipi i femrave, çka shton buxhetin”.
MERKATO – “Gjëja më e mirë është se kemi ruajtur boshtin, ata janë blerja më e mirë. Është një grup kompakt që luajnë me njëri-tjetrin. Kemi marrë disa elementë cilësorë, që vjet kanë bërë mirë. Kemi dubluar edhe rolet. Mbetet të shihet në fushë, nëse nis kampionati.
Kemi marrë 7 herë në kupat e Europës. Tre herë kemi kaluar turin dhe sivjet mund të bënim historinë. Shpresojmë të marrim maksimumin. Nuk mund të themi që tani objektivin titull. Objektivi është të marrim maksimumin në çdo ndeshje. Leicester e fitoi titullin para disa vitesh, por nuk besoj se e kishte objektiv. Objektivi do shikohet gjatë kampionatit”.
“Mazrekaj është basti i presidentit. Ai e ka marrë guximin ta rikthejë, pas pauzës që bëri në futbollin dardan. Kualiteti i tij në vitet e shkuara nuk mohohet. Te ne luan kushdo që jep maksimumin, nuk ka emra në tabelë. Nuk i kemi tentuar as Krasniqin e Bregun, kemi Nwabueze dhe Xhixha. Njëri ka shënuar 24 gola dhe tjetri 12 gola. Nuk kemi kërkuar lojtarë në ato pozicione”.
TRANSFERIMI I MANE – “Ai ka luajtur me Carpi dhe disa ekipe në ligën e tretë. Kemi një lidhje me Veronën, por nuk kemi konkretizuar më parë marrëveshje. E kemi marrë në huazim për një vit. Meqë trajnerin e kemi edhe tifoz të Liverpool, do ia gjejmë edhe një Salah (qesh)”, tha Pali. /abcnews.al