Dëshmitë e të plagosurve në “Don Bosko”: Pinim kafe si zakonisht, nuk pamë kush qëlloi

schedule10:30 - 4 Shtator, 2024

schedule 10:30 - 4 Shtator, 2024

Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi dy personat që u plagosën në atentatin e pasdites së të martës në Don Bosko, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. 45-vjeçari Elezaj mori dy plumba, një në gjoks dhe një në krahë, ndërsa 22-vjecari Renaldo Metushi, u plagos në këmbë. Ata iu nënshtruan operacioneve në spitalin e Traumës për heqjen e predhave të plumbit ndërsa momentalisht ndodhen në gjendje stabël.

Grupi hetimor ka mundur që tu marrë dëshmitë paraprake dy të plagosurve. Kastritot Elezaj ka deklaruar se nuk ruhej dhe nuk ka konflikte me njeri.

“Po pija kafe poshtë shtëpisë me Renaldon siç bëj pothuajse çdo ditë pasi e kam si rutinë që pasdite të ulemi tek lokali i lagjes dhe të bisedojmë. Nuk kam ndonjë angazhim tjetër sepse jam i papunë. Për sa i përket ngjarjes autorët nuk i pashë se gjithcka ndodhi befasisht dhe shumë shpejt. Nuk di të them se kush na ka qëlluar sepse unë nuk kam konflikte me askënd dhe nuk ruhem. Unë dal çdo ditë në rrugë, në lagje dhe në kafe”, dëshmoi Elezaj.

Edhe i plagosuri tjetër Renaldo Metushi sipas dëshmisë së dhënë në polici nuk ka mundur të shikojë autorët.

“Unë jam i papunë. Sic bëj zakonisht kam dalë poshtë shtëpisë së mikut tim Kastriotit për të pirë kafe. Dua të them se njerëzit që kanë lokalin i njoh dhe i kam miq, pasi aty unë kam punuar si kamerier për një periudhë kohe. Për sa u përket autorëve nuk munda t’i shoh pasi makina ishte me shpejtësi dhe gjithçka ndodhi për shumë pak sekonda. Kam ndjerë një dhimbje në pjesën e këmbës dhe kuptova që jam plagosur me plumb. Unë nuk kam konflikte dhe sdi kush mund ta ketë bërë këtë sulm ndaj nesh.”, tha Metushi.

Ndaj Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushit u qëllua me 7 plumba. Dyshohet se arma e përdorur ka qenë pistoletë me silenciator, pasi sipas dëshmitarëve nuk jam dëgjuar të shtëna. E gjitha ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë te lokalit ku ndodhi plagosja e dyfishtë. Ka dyshime se autorët kanë pasur një informator për lëvizjet e Kastriot Elezajt dhe Renaldo Metushit. Rruga ku ndodhet lokali, është pa dalje dhe autorët të cilët lëvizën me një golf 5 ngjyrë gri, dyshohet se kanë hyrë në afërsi të lokalit kanë kthyer makinën dhe më pas janë afruar duke qëlluar pa zbritur nga automjeti. Sipas asaj çka kanë filmuar kamerat e sigurisë autorët kanë qenë të maskuar ndërsa për t’u larguar kanë përdorur një rrugicë që të nxjerr tek spitali i Traumës ndërsa me pas janë larguar në drejtim të Kamzës. Në fshatin Qereke u gjet i djegur një automjet golf 5 që dyshohet se u përket autorëve, ndërsa brenda saj e shkrumbuar u gjet edhe një armë zjarri.

Policia ende nuk e ka të qartë objektivin e këtij sulmi me armë, por dyshohet se atentati ishte për Kastriot Elezajn për shkak edhe të te shkuarës së tij kriminale në Itali. Ndërkohë një pistë tjetër ku janë shtrirë hetime është ajo e përfshirjes së mundshme të dy të plagosurve në trafikun e lëndëve narkotike.

Për ngjarjen në polici janë shoqëruar 15 persona, dëshmitarë okularë, familjarë të dy te plagosurve dhe persona qe mund të kenë dijeni për atentatin ndaj Elezajt dhe Metushit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!