Destinacioni i radhës i kryeministrit Edi Rama është Poliçani, ku në takimin me qytetarët tha se ai dhe partia e tij nxori nga burgu drejtësinë e munguar prej vitesh për popullin shqiptar.
Rama tha se me hyrjen e Shqipërisë në BE drejtësia do të jetë e garantuar. Fjalën e tij e paralelizoi me kundërshtarin politik, sipas tij Berisha kërkon të shkrijë SPAK-un dhe të prishë reformën në drejtësi. Prandaj Rama u bëri thirrje qytetarëve që më 11 maj t’i japin fuqinë Shqipërisë për të hyrë në BE.
“Drejtësia vonon, por kurrë nuk harron! Kjo nuk është më vetëm një fjalë boshe. Nuk është më Shqipëria e zhytur në kënetë në këmbët e një bufi, por është një Shqipëri në derën e BE-së. Është një Shqipëri që nuk pyet se kush je e me kë je, por të vjen dhe të merr. Për këtë unë jam shumë krenar. Ne kemi nxjerrë nga burgu drejtësinë. Nëse ne hymë në BE barazia para ligjit është e garantuar përgjithmonë, në këtë kundërt kjo që po ndodh sot do të mbetet si ëndrra e një nate vere. Berisha thotë që do shkrijë SPAK, e as ka për ta bërë se dhe fushatën dje në Korçë ia mori Ilir Vrenozi. Ai është nderi i tyre, respekti që kanë treguar që kanë vrarë shqiptarë të pafajshëm, por nuk do e kenë më shansin sepse Shqipëria është drejt finishit. Prandaj më 11 maj duhet të na jepni fuqinë që të mbyllim negociatat brenda 2027-ës”, tha kryeministri Rama./abcnews.al

