Edhe nxënësit e gjimnazit “Ismail Qemali” në Tiranë e nisën vitin në mjedise të rikonstruktuara. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj tha se këtë vit do të hidhen themelet për ndërtimin e 17 shkollave të reja në kryeqytet.
Këtë vit në Tiranë do të nisë puna për ndërtimin e 17 shkollave të reja. Këtë e bëri të ditur Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj nga gjimnazi “Ismail Qemali” i cili këtë vit i ka pritur nxënësit me mjedise të reja.
“Një nga arsyet pse kemi një mbipopullim në këtë shkollë është kryesisht prej cilësisë, megjithatë hapja e shkollave të reja dhe fillimi i 17 themeleve për 17 shkolla të reja do të ulë edhe këtë presion. Jam i lumtur që edhe “Ismail Qemali”, brenda këtij viti, do të shkojë në parametrat normalë të raportit të nxënësve me mësuesit; pra, klasa të përballueshme dhe jo të mbingarkuara. Hapja e shkollave të reja do të kërkojë bashkëpunim me prindërit, që fëmijët të regjistrohen ku e kanë shkollën e tyre më të afërt”.
Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e plotë të klasave, palestrës dhe terreneve të jashtme sportive ndërkohë ka instaluar edhe sistemin e ngrohjes qendrore.
“Jam shumë i lumtur që ia mbërritëm kësaj dite, që shkolla “Ismail Qemali” të hidhej në tokë e të ringrihej nga e para, tamam si një feniks për këtë vit të ri. Të gjithë nxënësit të cilët me shumë mirëkuptim kanë “bujtur” në shkollat e tjera, sot kanë një ambient fantastik të rinovuar, duke filluar nga fushat. Është ndër të vetmet shkolla që ka edhe fushë tenisi, edhe volejbolli, edhe futbolli e basketbolli, ka një palestër, ka një sallë force, ka gjithë ndriçimin LED, ka një ngrohje me pelet”.
Krahas përmirësimit të infrastrukturës, në shkollat e kryeqytetit mësuesit më të mirë të përzgjedhur nga portali “Mësues për Shqipërinë” sipas kryetarit të bashkise po shpërndahen në mënyrë të njëtrajtëshme në çdo shkollë. /abcnews.al