Nxënësit bojkotojnë mësimin

schedule14:52 - 18 Shtator, 2018

schedule 14:52 - 18 Shtator, 2018

Fëmijët në Krajn dhe në Fishtë të Zadrimës në Lezhë nuk e kanë nisur akoma procesin mësimor. Shkollat e tyre janë mbyllur dhe atyre u duhet të shkojnë në shkolla të tjera larg vendbanimit. Por problemi i transportit nuk është zgjidhur akoma.

Pasi shkollat e tyre u mbyllën për të shmangur klasat kolektive, fëmijët e Krajnit dhe Fishtës në Njësinë Administrative Blinisht të Lezhës nuk e nisën mësimin.

Mungesa e transportit ka detyruar prindërit që t’i ndalojnë në shtëpi fëmijët e tyre. Ata thonë se distanca e vendbanimit me shkollë tjetër është e largët. Kurse mjeti që bën linjën është i vogël dhe i vjetër.

“Ne jemi dakord, por nuk na plotësohen kushtet e transportit”, tha një prind.

“Sikur të jetë edhe 25 vendësh, ai nuk mundet t’i përballojë që fëmijët të transportohen në kushte normale”, tha një tjetër.

“Nuk ka kushte edhe pikon brenda”, tregoi një nxënëse.

“Fëmijët nuk shkojnë në shkollë, po nuk u morën të gjitha këto masa”, u shpreh një prind.

Probleme me transportin kanë edhe mësuesit e shkollës së Blinishtit. Por ata nuk pranojnë të dalin për të folur mbi shqetësimet. Kjo ndoshta u rrezikon vendin e punës. Drejtori i Arsimit në Lezhë, Bardhok Pulaj, e konfirmon faktin se transporti ka patur probleme në Zadrimë. Por sipas tij do të gjendet zgjidhja.

“Kemi biseduar më prindërit dhe me kompaninë e transportit dhe gjithçka do të zgjidhet nesër. Ndërsa për mësuesit e blinishtit, ata kanë shkuar me mjete të tjera sot. Do të shohim kushtet e autobusit dhe do të zgjidhet”, tha Bardhok Pulaj, drejtor i Arsimit Lezhë.

Transferimi i nxënësve të shkollave që mbyllen në shkolla të tjera pranë tyre duhej të ishte shoqëruar edhe me sigurimin e transportit. Mesa duket kësaj nuk i është kushtuar vëmendja e duhur dhe shumë nxënës jo vetëm ne Zadrimë, vazhdojnë të mos marrin pjesë në mësim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!