“Nuk pres mrekulli me vaksinën”, Pipero në ABC: Ndiqni këto hapa për ta kaluar lehtë Covid-19

schedule12:04 - 16 Nëntor, 2020

schedule 12:04 - 16 Nëntor, 2020

Janë disa veprime, përtej ilaçeve, që mund t’i ndihmojnë njerëzit me koronavirus që ta kalojnë me lehtë infektimin.

Sipas asaj që mjeku infeksionist Pëllumb Pipero sugjeroi në studion e ABC, në një bisedë me gazetaren Juli Xhokaxhi, mënyra sesi e trajtoni veten kur infektoheni ka rëndësi.

Ajo që sugjeron mjeku janë: Ndenja për një farë kohe në diell për të marrë vitaminë D, ecja në ajër të pastër, ushqimi i mirë si dhe gjumi.

Po ashtu, këshillon Pipero, e mira do ishte që të pini sa më shumë ujë.

“…Ata që janë pozitivë, duhet të bëjnë sa më shumë gjumë, e të rrinë sa më të qetë. Në vend që të shpërthejnë enzimat me efekt negativ, të shpërthejnë ato me efekt pozitiv.”

Kurse, i pyetur nëse mund të rekomandohen qetësues për ata që kalojnë gjendje ankthi apo stresi, Pipero këshilloi për cajra me efekt qetësues apo barna me bazë bimore.

“Mund të bëjnë një çaj, një qetësues, një substancë nga ato bimoret që sjellin gjumë.”

Ndërsa, për ata që e kanë kaluar koronavirusin, Pipero thekson: “Ata duhet t’i thotë vetes që kanë kaluar një beteje jo të lehtë. Kjo s’do të thotë, se për 2-3 javë mund të mos shfaqet sëmundja prapë. Ende nuk e dimë sa të mbrojtur jemi. Kam dy raste, që janë infektuar dy herë. Herën e dytë pa shenja. Kujdesi vlen për të gjithë.”

Por, kur mund t’i vijë fundi kësaj pandemie?

Pëllumb Pipero thotë se këtë s’mund ta thotë askush, por shton se duke u nisur nga eksperiencat e mëparshme, virusi nuk neutralizohet pa dy vite e gjysmë.

“Nuk pres mrekulli me vaksinën. Edhe ndonjë vit do vijojë këtë betejë.” s.b/abcnews.al/