Nuk ndalen protestat kundër Vuçiç

schedule12:16 - 24 Shkurt, 2019

schedule 12:16 - 24 Shkurt, 2019

Këshillat bashkiakë të Serbisë dhe disa sindikata iu bashkuan të shtunën opozitës serbe për protestën e radhës kundër presidentit Aleksandër Vuçiç.

E akuzojnë presidentin serb Aleksandër Vuçiç se ka futur Serbinë në një tunel gënjeshtrash. Opozita serbe ka protestuar ede një herë për të kërkuar dorëheqjen e tij. Atyre u janë bashkuar edhe disa sindikata dhe thonë se vetëm zgjedhjet e lira janë mundësi. Por, jo të kontrolluara nga pushteti. Serbia është duke u shkatërruar thonë protestuesit, por tani nga udhëheqja e saj.

Rade Paniç, Sindikata e mjekëve dhe farmacistëve të Serbisë: “Ku është fundi i kësaj errësire që po ndodh në Serbi? Mjekët dhe farmacistët që braktisin çdo ditë Serbinë janë të detyruar të ikin”.

Edhe këtu rreth 700 deputetë të parlamenteve të bashkive janë bashkuar për të bojkotuar punën e qyteteve dhe për të bërë presion tek qeveria. Ka kërkesa për bojkot të Kuvendit shtetëror.

Dragana Rakiç, deputete e lirë e bashkive: “Kurrë nuk e kemi vënë veten përpara interesave të qytetarëve dhe ligjit, ndaj e kuptuam kërkesën tuaj për bojkot të parlamenteve lokale dhe të Kuvendit dhe do ta dëgjojmë zërin e popullit”.

Protestat në Serbi nisen pas disa sulmeve fizike ndaj një politikani të opozitës dhe disa sulme të tjera ndaj një gazetari. Qeveria i ka quajtur ato një fushatë të orkestruar kundër presidentit Vuçiç.

Presidenti serb disa herë ka ofruar zgjedhje dhe ka thënë se serbët së shpejti mund të votojnë. Por, ende nuk dihet se për çfarë. Derisa ai promovon punën e bërë dhe projektet e pritura, opozita refuzon nëse nuk krijohet liria e medias./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!