“Nuk më lanë të shkoja te United”, Lewa: Kloppin e “zhvata” te Borussia Dortmund

schedule14:15 - 22 Dhjetor, 2020

schedule 14:15 - 22 Dhjetor, 2020

Robert Lewandowski është lojtari më i mirë i vitit 2020, duke lënë pas Leo Messin dhe Cristiano Ronaldon, dyshen, që kanë dominuar futbollin për vite të tëra. Së fundmi ylli i Bayernit ka dhënë një intervistë për France Football, ku flet gjatë për të shkuarën e tij. Polaku flet fillimisht për të preferuarit e tij.

“Lojtarët që admiroja më shumë ishin Del Piero, Thierry Henry dhe Roberto Baggio. Polonia kishte lojtarë të shkëlqyer, por ata ishin tërhequr kur unë fillova të shikoj futboll. Përveç emrave të mëdhenj, ajo që më bëri të ëndërroj ishin stadiumet e mëdha dhe atmosfera e tyre”.

 

Më pas Lewa flet për krahasimin me Messin e Ronaldon. Polaku shprehet se nuk mund të barazohet me këtë dyshe, por nuk e mohon se ka bërë shumë mirë gjatë viteve të fundit me Bayern Munchen. “Messi dhe Cristiano kanë qenë në të njëjtën tryezë për shumë vite dhe kjo është ajo që i bën ata të pakrahasueshëm me asnjë.

Griezmann tha dy vjet më parë se ai mund të ulej me ta? Unë nuk mendoj se mund të konsiderohen si ata, por mendoj se kam bërë mjaft mirë për sa i përket paraqitjeve dhe golave, vitin e fundit dhe ato të mëparshmit. Në këtë pikë mendoj se mund t’i ftoj Messin dhe Cristianon të hanë në tryezën time”.

 

Më pas më i miri i këtij viti flet në lidhje me historitë e vjetra me Klopp dhe mënyrën sesi gjermani i nxori më të mirën polakut. “Klopp më jepte 50 euro sa herë shënoja dhjetë gola gjatë stërvitjes. Ishte metoda e tij për të mprehur aftësitë e mia, për të më shtyrë përtej kufijve dhe për të më bërë të punoja më shumë.

Javët e para shpesh i mora 50 euro dhe ai u ndal sepse po humbte shumë para. Por ky ushtrim ishte shumë i rëndësishëm për mua, sepse u përmirësova shumë në përfundim. Në atë kohë isha i ri. Klopp kishte identifikuar cilësitë e mia dhe donte që unë të ecja përpara”.

 

Robert e mbyll me një prapaskenë kur ishte te Borussia Dortmund dhe klubi nuk e la të bashkohej me United, pas një bisede me Ferguson. Megjithëse shprehet se nuk u zhgënjye, ai u hakmor duke shkuar falas te Bayern Munchen.

“Pas vitit të dytë në Dortmund, pata një bisedë me Sir Alex Ferguson. Ai donte që unë të shkoja në Manchester United. Isha shumë i interesuar, mund të them gjithashtu se isha gati. Por Dortmund nuk donte të më linte të shkoja. Nuk ishte zhgënjim, sepse gjërat po shkonin mirë me Borussian”, përfundon Lewandowski. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!