Sekretari ligjor i Partisë Demokratike, Rezart Kthupi thotë se kjo forcë politike nuk mbështet deklaratën e ish kryeministrit Sali Berisha, i cili ka parlajmëruar protesta të hënën, në të njëjtën ditë ku pritet t’i hiqet imuniteti dhe të arrestohet.
Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Kthupi u shpreh se Partia Demokratike ka mbajtur qëndrim të qartë dhe shtoi se vendimet e gjykatave duhet të respektohen.
“Absolutisht jo, për një arsye shumë të thjeshtë. Kemi deklaruar në qëndrime publike, do mbështesim çdo vendim të drejtësisë së re. Nuk mbajmë qëndrime publike. Ne i kemi pranuar vendimet për ato që janë, kemi ndjekur rrugët ligjore. Kemi pranuar vendimin, sepse vendimet e gjykatave respektohen, nëse ke pakënaqësi, e kundërshton. Thirrja e një proteste kundër SPAK, ne nuk e mbështesim. Ne do të mbështesim çdo veprim të SPAK, ndaj cilitdo që i drejtohet. Partia Demokratike në 2 vitet e fundit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që vjen në kundërshtim me sistemin e drejtësisë. Ne do të mbajmë të njëjtin qëndrim që kemi mbajtur vitet e fundit, kemi besim te drejtësia e re. Pro drejtësisë, nuk ka lidhje me imunitetin”, theksoi ai.
Në lidhje me seancën për vulën e Partisë Demokratike që do te mbahet më 27 dhjetor, Kthupi tha: “Nuk mendoj se Gjykata e Lartë do të japë një vendim përfundimtar.”
Kthupi deklaroi se Gazment Bardhi ka shkelur parimet e Partisë Demkratike dhe se Lulzim Basha nuk ka vendosur vijë të kuqe për Berishën, por ka mbajtur qëndrim koherent për personat e shpallur “non grata”.
“Partia Demokratike nuk është e mbyllur për askënd, përfshi edhe Gazment Bardhin. Në aspektin politik na ndajnë parime shumë të mëdha, një parti politike ka parime. Për sa kohë Bardhi nuk është anëtar i Partisë Demokratike, nga aspekti formal, që të rifutet, duhet të bëjë kërkesë me shkrim.
Zoti Basha nuk ka vënë vijë të kuqe për zotin Berisha, ka vendosur një qëndrim koherent, për personat e shpallur ‘non grata”. Qëndrimi është qëndrim në parim. Është çështje aprimore, nuk është çështje emrash. PD nuk mund të ndryshojë qëndrim për shkak të emrave”, përfundoi ai./abcnews.al