Piktori shqiptar, Shpend Bengu renditet krah emrave të njohur botërorë si Picasso, apo Frida Kahlo, në antologjinë e artit bashkëkohor botëror.
Për herë të parë, ai ka ndarë detaje nga jeta e tij private në emisionin “Pas Mesnate”, duke cekur më konkretisht fëmijërinë e tij dhe momentet që shënjuan rrugëtimin e tij në art.
Bengu theksoi se vjen nga një familje, e cila artin e ka në vena dhe babai ka qene ai që e ka mësuar në fillim të pikturojë. Sakaq, artisti kujton se prindërit e nxirrnin nga dera, ndërsa ai hynte nga dritarja, pasi i pëlqente shumë të pikturonte dhe lexonte libra.
“Piktura ka qene ëndrra ime që fëmijë. Nuk e mbaj mend ndonjëherë veten time pa laps në dorë. Madje dhe në momentin e parë, babai im më mësoi dritëhijet dhe format, që sot i gjen nëpër librat më të rëndësishëm të edukimit dhe arteve, që kur isha në kopsht. Mësuesi i parë ishte babai. Kishte tre gjëra që ia di për faleminderit dhe kanë ndikuar në jetën time, ishin: vizatimi, kaligrafia dhe librat. Ai çdo ditë të diel do më merrte për dore, do më çonte në librari dhe do më konsultonte, por librin do ta zgjidhja vetë.
Edhe nënës dhe babait tim i vinte keq, sepse punoja shumë dhe nuk vlerësohesha shumë.
Unë doja që gjithë kohën time ta harxhoja te librat, te vizatimi ose piktura. Prindërit e mi më nxirrnin jashtë, ata më nxirrnin nga dera dhe unë futesha nga dritarja. Unë kam pasur një fat që rrallë e kanë fëmijë të tjerë, që është trashëgimia familjare te artet. Xhaxhai im ka qene një artist i njohur, është specializuar në Akademinë e Romës në kohën e fashizmit, po ishte dhe një tjetër djali i hallës sime dhe ai artist i merituar, piktor i Kinostudios, ai kishte mbaruar në Çeki bashkë me Dhimitër Anagnostin dhe me emra të tjerë. Përveç babait time, edhe këta të tjerët, vinte ‘komisioni’ çdo ditë të diele për të parë se çfarë kisha bërë. Është gjëja më e bukur që mund të përjetojë një fëmijë”, rrëfeu Bengu./abcnews.al