“Nuk komentoj mbi situatën e Tiranës”, Memelli para “klasikes”: Jemi të fokusuar për të bërë maksimumin

schedule11:36 - 6 Tetor, 2023

schedule 11:36 - 6 Tetor, 2023

Mesditën e së shtunës, “kuqeblutë” e Vllazinë do të përballen në “Kukës Arena”, me “bardheblutë” e Tiranës, në “klasiken” e Shqipërisë, që do të jetë e vlefshme për javën e 8 të Kategorisë Superiore.

Siç e do “zakoni”, para ndeshjes u zhvillua dhe konferenca për shtyp, ku në radhët e shkodranëve i pranishëm ishte tekniku, Migen Memelli, i cili pasi refuzoi të komentonte situatën që “bardheblutë” e kryeqytetit po kalojnë, vijoi të komentonte përgatitjen dhe harmoninë në kampin “kuqeblu”.

“Është ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Dëshira ime ishte që të luhej në një stadium në Shkodër ose në Tiranë. Por në kushtet kur ne kemi mbjellë barin e stadiumit është zhvendosur në Kukës, çka do të thotë që pritshmëria e terrenit nuk do të jetë në atë nivel që duhet. Gjithsesi ne si staf, lojtarët jemi të angazhuar që të bëjmë maksimumin në këtë ndeshje dhe të dalim me pikët e plota. Ajo çka është për t’u vlerësuar është që kemi dhe dy rikthime në skuadër, që po i shikojmë me kujdes.

Ndryshimi i trajnerit? Nuk jam i lumtur që të komentoj asgjë për kampin bardheblu.

Gjendja është e mirë. këto dy rikthime do të na japin mjaft oksigjen për të bërë gjërat siç duhet në fushë, edhe e Smajlit edhe e Ersinit. Edhe pse nuk kanë shumë kohë me skuadrën, besoj se janë dy prurje shumë të rëndësishme, lojtarë që kanë kualitet dhe skuadra i njeh mjaft mirë. duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse nuk duam që të rikthejmë asnjë dëmtim nga ajo që djemtë kanë pasur dhe t’i kemi pastaj për të gjithë sezonin.

E vështirë sepse do të jetë impakti i parë për njohjen e ambientit. Gjithsesi do të jemi të fokusuar për të bërë maksimumin në këtë ndeshje. Fokusohemi te gjërat që duhet të bëjmë. Duhet të fokusohemi te kundërshtari. Pra duhet ta fillojmë nga vetja edhe pse ndeshje e vështirë. Gjithsesi me impenjimin e duhur të djemve dhe me atë procesin që kemi bërë gjatë këtyre dy-tre ditëve jemi në lartësinë e duhur për të bërë maksimumin dhe për të marrë gjithashtu maksimumin në këtë ndeshje.

Nuk di ta vlerësoj situatën e Tiranës. Uria është edhe në kampion tonë. nuk kam dëshirë të merrem shumë me kundërshtarin sepse ju kam thënë ditët e para që Tirana është një skuadër e dashur për mua edhe problematikat e tyre mua nuk më interesojnë shumë. Jam i impenjuar që të bëj maksimumin me skuadrën e Vllaznisë. T’i japim dhe t’i marrim maksimumin njëri-tjetrit, pra lojtarët dhe stafin, edhe tifozët bashkërisht. Pastaj t’i shikojmë gjërat me pozitivitet sepse në këto raste është më e rëndësishme të fokusohemi te vetja jonë se te kundërshtari.

Ne do mundohemi të shfrytëzojmë momentin tonë edhe ato rikthimet që thashë. Duke shfrytëzuar këtë pjesën tonë, mendoj se gjërat do të jenë më mirë. Do t’iu lutesha shumë edhe njëherë që sa i përket kundërshtarit nuk kam dëshirë të flas për këtë çështje. Trajnerët shkojnë edhe vijnë. Në këtë rast do të duhet t’i uroj Orges Shehit suksese në karrierën e tij edhe më tej, sepse ka bërë një punë të mirë te Tirana. Por që fokusi nesër është te ndeshja dhe te vetja jonë si duhet të qasemi me kundërshtarin.

Plus do të jetë për tifozët, sepse do të jetë kjo mbështetja që presidenti i ka vënë nga mbrapa. Besoj kjo është pozitive sepse i heq edhe një barrë ekonomike dhe duke e bërë këtë është një plus për ta për të parë një ndeshje në Kukës. Edhe pse largësia është pak e madhe, gjithsesi komoditeti që i është ofruar nga presidenti dhe klubi besoj është i mjaftueshëm.

Nuk e kam idenë për sezonet e kaluara, sepse nuk mund të komentoj për njerëzit që kanë qenë më parë. Të gjithë klubet në rang botëror mund të gabojnë me një ose dy lojtarë. Ne nuk kemi gabuar këtë vit, përpos faktit që kemi bërë një merkato me ulje buxheti dhe lojtarët janë këta. Mos harrojmë që janë 9 lojtarë të larguar nga formacioni i vitit të kaluar. Lojtarët kanë filluar të ambientohen me njëri-tjetrin. Mua nuk më intereson të komentoj gjërat që kanë ndodhur në vitet e kaluara. Besoj se në gjithë këto vite, Vllaznia ka pasur periudha suksesi. Gjithë lojtarët që kanë qenë kanë bërë mirë. kështu që nuk ka vend për aludime në këtë moment për këta lojtarë ose ata që do vijnë më mbrapa se kush i solli, çfarë do bëjnë. Këto janë muhabete që nuk kanë lidhje”,- u shpreh tekniku i shkodranëve. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!