“Nuk kam ku i gjej policët!”, Flamurtari-Laçi në rrezik

schedule12:28 - 20 Shtator, 2019

schedule 12:28 - 20 Shtator, 2019

Flamurtari është në kolaps total, kjo për shkak se në Vlorë tashmë nuk janë më në gjendje as të  garantojnë rendin në stadium. Administratori Sinan Idrizi ka deklaruar së fundmi se nuk mund të gjejnë dot polici private, pasi druhen prej incidenteve që do t’u hiqnin atyre edhe licencat.

“Nuk organizojmë dot më ndeshje në Vlorë, sepse unë nuk kam ku të gjej polici private. Ligji kërkon një numër të konsiderueshëm me uniforma të policisë private, por nuk të vjen njeri. Ndeshja e radhës luhet në Vlorë me Laçin, unë nuk mund ta organizoj”, shprehet kreu i klubit vlonjat.

“Ligji thotë duhet që të jenë 100 efektivë. Ku t’i gjej unë?!. Të gjithë këta kanë një problem dhe na thonë se nuk e marrin përsipër sepse u hiqet licenca”, është shprehur mes të tjerash në të përditshmen sportive “Panorama Sport” administratori Idrizi.

Sikurse kuptohet, takimi mes Flamurtarit dhe Laçit është në rrezik. Mbetet për t’u parë se çfarë zgjidhje do të gjejnë në Vlorë, aty ku problemet gjatë këtyre viteve kanë qenë nga më të shumtat. Sivjet nisja e kampionatit ka qenë katastrofale, teksa kuqezinjtë i kanë humbur katër ndeshjet e para. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!