“Nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, isha vetë i rrezikuar”, Naim Murseli mohon përfshirjen e tij në vrasjen e Liridona Ademajt

schedule17:24 - 3 Dhjetor, 2023

schedule 17:24 - 3 Dhjetor, 2023

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit për 30 ditë ndaj tre personave të dyshuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademaj. Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë të akuzuarit që do të qëndrojnë në paraburgim për një muaj.

Diskutimet rreth masës së paraburgimit u zhvilluan gjatë një seance të posaçme, ku mori pjesë edhe i dyshuari Murseli së bashku me avokatin e tij, Ahmet Ahmeti.

Në mbrojtjen e tij, Murseli theksoi se nuk ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe se ai vetë kishte qenë i rrezikuar, kërkues i ndihmës deri në mbërritjen e policisë.

 “Unë nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, madje kam qenë vetë i rrezikuar dhe kam kërkuar ndihmë në të njëjtën kohë deri në ardhjen e policisë”, thuhet se kishte thënë i dyshuari sipas vendimit të gjykatës.

Ndërsa avokati Ahmeti tha se Murseli nuk kishte kryer veprën siç ishte përshkruar në dosjen e akuzës dhe theksoi se nuk ka qenë i përfshirë në aktin e vrasjes.

Në përpjekje për të shmangur paraburgimin, avokati Ahmeti kërkoi nga gjykata që të mos e aprovojë kërkesën e prokurorisë ose, në të kundërtën, të caktojë një masë më të butë, alternative./abcnews.al