“Nuk ka rëndësi titulli”, Mula: Brdaric trajner dinjitoz, Vllaznia “kënga” më e bukur

schedule23:32 - 18 Janar, 2021

schedule 23:32 - 18 Janar, 2021

Mbrëmjen e sotme në emisionin Pressing në ABC diskutohet për javën e 14 të Kategorisë Superiore. Në studio është ftuar një tifoz i thekur i Vllazninë, kompozitori i njohur, Osman Mula. Në fjalën e tij ai i bëri një analizë të shkurtër për Vllazninë, për të cilën është i kënaqur me arritjet e deritanishme.

“Jam i kënaqur, por kam edhe ndjenjën e frikës dhe ankthit. Gjatë viteve të fundit kemi qenë ‘me një këmbë në varr’, kështu që duhet të jemi me këmbë në tokë. Janë grup kompakt dhe luajnë së bashku. Drejtuesit janë të matur dhe nuk dalin me deklarata ‘do marrim titullin’, ‘do bëjmë namin’. Kam pasur shumë shokë shkodranë, që e kanë prekur suksesin.

Diçka ka ndryshuar edhe në anën financiare. E ndoqa kryetaren e bashkisë dhe tha që gjithçka është në rregull. Ajo që më kënaq është se Vllaznia luan ashtu siç duam ta shohim të gjithë. Edhe kur ka humbur, edhe kur ka fituar ka luajtur bukur. Për mua nuk ka rëndësi nëse del e para apo e dytë, por më pëlqen që Vllaznia doli në stilin e vet.

Edhe kur e kanë bërë të tjerët më parë, ata që e bënë e prishën gjithçka brena dy muajsh. Hoqën trajnerë, larguan lojtarët. Tirana, Kukësi e Partizani. Nuk duhej të hiqej Ngoo e Hasani se për Tiranën ne shkodranët kemi simpati. Te Vllaznia më kënaq loja. Brdaric është trajner dinjitoz dhe të mos harrojmë as Plorin, që është shkodran dhe trajner shumë i aftë.

Lojtarët japin dhe marrin me njëri-tjetrin dhe nuk ia lënë vetëm njërit në dorë peshën. Janë të gjithë së bashku. Shkodra dëshiron hapjen e stadiumit dhe të shijojnë. Unë në festivale nuk kam pasur mendjen te vendi i parë.

Edhe kur kam dalë i dyti jam diskutuar më shumë. Edhe në futboll del i dyti dhe shkon në Europë e luan me dinjitet, siç bëri Kukësi vite më parë. Nuk duam më shqetësime, por duam të jemi në rrugën e duhur. Kur Shkodra është mirë, i bën mirë edhe kampionatit tonë. Vllaznia deri më tani është kënga më e bukur e festivalit”, u shpreh Mula ndër të tjera. /abcnews.al