Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, ka akuzuar presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, “për prishje të paqes, për të cilën tha se është fituar me shumë mund”.
Ai tha se dy udhëheqësit kosovarë me deklarata “provokuese dhe të papërgjegjshme” po e shkaktojnë këtë derisa tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç është ai që po e bën të kundërtën.
“Ballkani do të ishte sërish një fuçi baruti, por kjo është arsyeja pse presidenti serb Aleksandar Vuçiç është këtu për të mbajtur paqen, si të shenjtë dhe vlerë të madhe”.
Për këtë deklaratë të tij, Petkoviç tha se Osmani “padyshim që s’e kupton”.
Ai këto komente i bëri pas një interviste të Osmanit për TRT World ku tha se “Serbia duke refuzuar të dënojë lëvizjen e Rusisë drejt Ukrainës dhe duke refuzuar të vendosë sanksione, ka treguar qartë se qëndron në krah të Rusisë”.
Po ashtu, Petkoviç tha se janë Osmani e Kurti ata që po refuzojnë çdo dialog dhe kompromis. /Express

