Çelsi dhe Arsenali zhvilluan një ndeshje të fortë në Kupën e Ligës angleze, por kualifikimi për në finale do të përcaktohet në përballjen e dytë. Sfida pati raste dhe polemika.
Nuk pati fitues në derbin më të madh të Londrës.
Çelsi dhe Arsenali u ndanë në një barazim 0-0 në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Ligës, me kualifikimin që do të vendosen në përballjen e kthimit.
Ndeshja ishte e fortë, por më shumë me duele dhe ndërhyrje të ashpra, dhe më pak raste për gola.
U duk se të dyja skuadrat ishin të lodhura nga sezoni dhe donin të ruanin sa më shumë forca për vazhdimin.
Për më tepër, rivalët kanë pasur probleme së fundmi, me Arsenalin e eleminuar nga Kupa e Anglisë, dhe Çelsin në rrezik për t’u eleminuar.
Trajnerët Konte e Venger e dinë se ka objektiva më të rëndësishëm në këtë sezon, siç janë kampionati anglez dhe kupat e Europës.
Çelsi ndoshta bëri pak më shumë dhe krijoi më tepër raste, por jo aq sa për të shënuar gola.
Gjyqtari pati punë me të dyja palët që pretenduan për penallti, ndërsa në Kupën e Ligës është vendosur përdorimi I teknologjisë.
Në një rast arbitri u këshillua me teknologjinë, ndërsa në rastin tjetër nuk e bëri një gjë të tillë, ndërsa asnjë 11-metërsh nuk u akordua.
Gjysmëfinalja e kthimit do të luhet në stadiumin e Arsenalit në 24 janar./abcnews.al

