Pas fitores së javës së shkuar ndaj Bylisit, Kastrioti luan këtë javë një ndeshje “zjarri” ndaj Kukësit në “Loro Boriçi”. Para kësaj sfide doli në konferencë për shtyp trajneri i krutanëve, Ramadan Ndreu, i cili mundohet të shmangë euforinë për skuadrën e tij.
“Nëse kemi gabuar, mendoj se është diçka e kaluar tashmë për ndeshjet me Apoloninë dhe Skënderbeu. Me Bylisin s’duhej të gabonim. E kishim përgatitur mirë takimin. Duhej të ishim pragmatistë. E ndërtuam lojën shumë mirë, zbatuam detyrat, fituam dhe jemi në rrugën e duhur.
Avantazhi i pikëve ta jep këtë mundësi. Janë dhe ndeshje, janë shumë pikë në lojë. Akoma nuk kemi stabilitetin e duhur. Do vazhdojmë luftën dhe të jemi në kërkim të rezultateve pozitive. Në momentin që mendon se ke siguruar diçka, ke bërë gabim të madh.
Me Kukësin është takim i vështirë, sepse çdo javë përmirësohet. Ka lojtarë të mirë dhe është ndërtuar rishtazi. Duhet vlerësim maksimal. Kemi vuajtur mungesat, por plotësohemi nga java në javë. Prandaj jemi optimistë për ndeshjen e nesërme.
Një ekip që vjen nga Kategoria e Parë, do kohën e vet të përshtatet në Superiore. E kemi deklaruar se nëse kapim mesin e tabelës apo sigurojmë mbijetesën, jemi në rregull. Skuadra do kohën e vet për t’u stabilizuar. Akoma nuk jemi stabël.
Stabilitet do të thotë që futbollistët të vazhdojnë të luajnë bashkë minimalisht të paktën një vit. Kemi lojtarë që premtojnë të ecin përpara dhe që janë të etur. Na ka dhënë këtë ecurinë e mirë në kampionat. Kjo është arsyeja që jemi këtu.
Në çdo javë që kalon, ekipet që duan të dalin kampione apo të shkojnë në Europë, bëhen agresive. Kukësi ka marrë lojtarë cilësorë, është përmirësuar si ekip. Edhe ne kemi marrë futbollistë. Jemi përmirësuar me afrimin lojtarëve të rëndësishëm.
Është ballafaqim i fortë. Ne na karakterizon dëshira dhe shpirti luftarak. Kur kemi përballë si Kukësi, Partizani, pra, ekipe me emër, mobilizimi vjen vetvetiu. Janë ditët e para të javës. Nga java që kaloi, aktivizuam Bardhin, por nuk ishte në gjendje të mirë për shkak se ka kohë që ka munguar.
Mendoj që Bardhi do të jetë në ndeshje. Do të shohim të tjerët. Nëse bindin do të jenë në formacion, nëse jo, do të thotë që janë të gatshëm për të na ndihmuar në këto takime edhe nga stoli”, tha Ndreu. /abcnews.al

