Ndërsa Finlanada ka shprehur hapur dëshirën për tu anëtarësuar në NATO, zyrtarët e saj kanë thënë se po përgatiten për mundësinë që Rusia t’i ndërpresë vendit furnizimin me gaz.
Qeveria finlandeze tha të enjten e kaluar se nuk do t’i bindet kërkesës së Moskës që pagesat e gazit rus të bëhen me rubla, monedha e Kremlinit.
Për pasojë refuzimi i Finlandës për të paguar gazin me rubla mund të çojë në ndërprerjen e furnizimeve me gaz siç ka ndodhur me rastin e Polonisë dhe Bullgarisë.
“Finlanda është e përgatitur për mundësinë që dërgesat e gazit nga Rusia të përfundojnë,” tha ministrja finlandeze e çështjeve evropiane Tytti Tuppurainen.
Zonja Tuppurainen shtoi se vendi i saj po merr masa për t’u marrë me një probabilitet të tillë, duke përfshirë ruajtjen e burimeve alternative të energjisë.
Rreth 60-70% e gazit të përdorur në Finlandë vjen nga Rusia.
Megjithatë gazi përbënte pak më shumë se 5% të konsumit total të energjisë vitin e kaluar në Finlandë.
Nafta dhe energjia bërthamore janë burimet kryesore të energjisë në Finlandë./abcnews.al/