Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës në Gjilan ka folur për çështjen e propozimit të mandatarit për formimin e Qeverisë.
Kurti u shpreh se qeveria është e përkushtuar në luftën kundër pandemisë dhe nëse institucionet do të shpërqendrohen në fronte të tjera, vendi do të humbasë luftën kundër pandemisë.
“Të mos shpërqendrohemi nga temat e tjera, ku prioritet është shëndeti i qytetarëve dhe parandalimi i përhapjes së pandemisë. Nuk kemi kohë për të humbur me çështjet e ping-pongut politikë”, tha Kurti.
Ndërkohë Kurti deklaroi se sot do të ketë takim online të kabinetit qeveritar dhe se për këtë takim është informuar edhe kryetari Haziri nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ku do të diskutohet për vazhdimin e masave.
“Sot do të kemi një takim në qeveri, takim online. Takimi do të jetë në lidhje me vijimësinë e masave, në mënyrë që të kemi kufizim të lëvizjes sepse lëvizja e qytetarëve është lëvizje e virusit”, tha Kurti.