Vendet evropiane nuk mund të gëzojnë ende pasi mund të ketë një valë të dytë vdekjeprurëse epidemie. Ky është paralajmërimi që ka bërë një zyrtar i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetit në Evropë, ndërsa shton se pandemia nuk ka mbaruar ende.
Në një intervistë të dhënë për mediat, Dr. Hans Kluge, drejtor për rajonin evropian të OBSH-së, bëri paralajmërimin e ashpër për vendet që fillojnë të lehtësojnë kufizimet.
Lidhur me këtë ai tha se tani është “koha për përgatitje, jo festim”.
Kluge theksoi se edhe pse numri i personave të infektuar në vende si Britania e Madhe, Franca dhe Italia ka nisur të bjerë, kjo nuk do të thotë se pandemisë i erdhi përfundimi.
Tashmë qendra e pandemisë është shvendosur në Amerikën Latine, ku më i godituri është Brazili si dhe në Rusi, Ukrainë, Bjellorusi dhe Kazakistan. /abcnews.al/