“Nuk e braktis Shqipërinë”, mjekja pediatre në QSUT: Dua të punoj për vendin tim, pranë familjes sime

schedule13:58 - 16 Nëntor, 2024

schedule 13:58 - 16 Nëntor, 2024

Prej 12 vitesh mjekja Albana Haxhiu është në shërbim të të vegjëlve. Albana punon si mjeke pediatre në QSUT, ndërsa paralelisht po kryen edhe studimet e doktoraturës në Romë të Italisë.

Pavarësisht kësaj, mjekja tregon se nuk e ka menduar asnjëherë të larguarin nga Shqipëria, por do të vazhdojë t’ju shërbej fëmijëve shqiptarë.

“Të them të drejtën jo, nuk e kam menduar ndonjëherë të largohem. Kam menduar për ta bërë doktoraturën jashtë, për tu formësuar vetë, dhe për të pasur ndoshta një vizion dhe qasje tjetër të gjërave, dhe për ta shfrytëzuar më pas këtë eksperiencë për përmirësuar veten në radhë të parë, por, pse jo edhe shërbimin që u jap të vegjëlve”, ka thënë mjekja pediatre Albana Haxhiu.

Përveç familjes, mjekja tregon arsyet se çfarë e mban atë në Shqipëri.

“E para e dua vendin tim, dhe është ajo shprehja mos mendo sa ka bërë atdheu për ty, por sa do bësh ti për atdheun tënd. Unë e dua Shqipërinë, e dua vendin e familjen time ti kem afër”, u shpreh ajo.

Studimet për mjekësi nuk ishin të rastësishme për 37-vjeçaren, por zgjodhi të ecte në rrugët e babait të saj.

“Që kur e mbaj mend veten thoja do bëhem doktoreshë, patjetër ndoshta ka ndikuar edhe nga fakti që babai im ka qenë mjek pediatër, dhe më tej im vëlla zgjodhi rrugën e mjekësisë, është kirurg. Në një farë mënyre direkt nuk ka ndikuar askush, por duke parë edhe mënyrën sesi zhvilloheshin gjërat në familje, kam zgjedhur të jem mjekë”, shtoi Haxhiu.

Pyetjes se si është të jesh 3 mjek në familje, i përgjigjet: “E vështirë është me thënë të drejtën. Mbaj mend shumë pak festa që jemi të gjithë bashkë si familje, por, prapë është e bukur se kuptohemi shumë mirë, si dhe jemi ndihmë për njëri-tjetrin”

Albana ka një porosi nga babai i saj, për të cilën thotë se nuk do ta harrojë asnjëherë, derisa do i shërbej bluzave të bardha.

“Kur kam, zgjedhur të studio për mjekësi, më ka thënë a e ke menduar mirë, dhe a e do vërtet. Se nëse do të bëhesh një mjek i mirë duhet ta duash, pasi është një punë që nuk ka orare. Pasi jam diplomuar, ka thënë që njerëzit nëse do kenë nevojë për ndihmën tënde, kurrë nuk duhet t’ju mungojë, në asnjë moment”, theksoi ajo.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!