Kukësi po kalon kohë të vështira në këtë sezon dhe po has vështirësi për të mbajtur hapin e kryesuesve. Verilindorët pas humbjes me Partizanin ndanë rrugët me trajnerin Gega, por sërish nuk kanë mundur të ngrenë kokë.
Në krye të skuadrës është vendosur Rrahman Hallaçi. Nën drejtimin e dytë të tij Kukësi numëron dy humbje radhazi, duke hyrë në një krizë, ku në pesë ndeshjet e fundit ka marrë një barazim dhe katër humbje.
Duke parë këtë situatë Rrahman Hallaçit i ka lindur detyra të reagojë dhe të dërgojë një mesazh direkt te tifozët e Kukësit. Ai shprehet se nuk do të dorëzohet dhe se të gjithë bashkë mund të ndihmojnë në ringritjen e skuadrës nga ana psikologjike dhe rikthimin e rezultateve pozitive.
“Dëshiroj të ndaj një mesazh të shkurtër me tifozët kuksianë. E di që këto nuk janë rezultatet për të cilat kemi punuar të gjithë së bashku ndaj jam i zhgënjyer po aq sa jeni dhe ju, si kuksian, ish-kapiten dhe aktualisht trajner i Kukësit.
Dhimbjen po e ndiejmë njësoj si ju, për këtë ju garantoj. Skuadrën e kam marrë dy herë në gjendje të rënduar psikologjike, ky është fakt. Herën e parë ia dola dhe nuk do të dorëzohem as herën e dytë.
Bashkë me stafin teknik, me drejtuesit, me lojtarët dhe mbi të gjitha me ju tifozët kuksian, të bashkuar më shumë se kurrë, në këtë moment të vështirë do ta kalojmë dhe këtë moment krize që mund t’i ndodhe çdo skuadre.
E kisha për detyre dhe e ndieja në shpirt e zemër këtë mesazh ta ndaja me ju tifozët e Kukësit. Edhe një herë tjetër, ndjesë për rezultatet negative. I urojmë suksese ish-kapitenit dhe njëkohësisht kapitenit”, shkruan Hallaçi. /abcnews.al