Përballja e pasdites së kësaj të diele, e vlefshme për javën e 9 të Kategorisë Superiore mes Dinamo City e Teutës, e zhvilluar në “Elbasan Arena” ka dhuruar spektakël me “durrsakët” e Teutës, që përmbysën gjithçka duke siguruar 3 pikë “të arta” në garën për mbijetesë.
Mirëpo, nëse për “durrsakët” gjithçka ka shkuar “vaj” në kampin kundërshtar asgjë nuk po shkon siç duhet, teksa pas ndeshjes, teksa po jepte prononcimin e tij për mediat, tekniku Luigi di Biagio ka dhënë dorëheqjen nga stoli i Dinamos.
“Gjithë jetën kam qenë njeri i ndershëm, korrekt dhe i sinqertë. Dhe sot jap dorëheqjen në respekt të një klubi me histori si Dinamo. Ndoshta nuk kam arritur t’u transmetoj këtyre djemve atë që kisha, por duhet të bësh më shumë në ndeshje. Falënderoj drejtuesit, të cilët po bëjnë një punë të madhe për të ringritur klubin.
Gjatë gjithë karrierës sime kam patur ndershmërinë dhe sinqeritetin. Për këto arsye heq dorë nga kontrata ime, pasi nuk dua të bëhem peshë për klubin. Jam ndjerë mirë në Shqipëri dhe jam i emocionuar para jush sot. I vlerësoj shumë shqiptarët. Më vjen keq që nuk arrita ta çoj në fund misionin tim”,- theksoi Di Biagio. /i.m /abcnews.al