Tirana u shpall kampione në sezonin e shkuar dhe pritej që në merkaton e verës bardheblutë të bënin lëvizje të mëdha në merkato për të ruajtur të njëjtin ritëm dhe tentuar krijimin e një diference të ndjeshme krahasuar me të tjerat.
Kjo nuk ndodhi, madje Tirana renditet në vendin e gjashtë në kampionat, në kuotën e 16 pikëve, plot 10 më pak se Vllaznia kryesuese. Në lidhje me zhvillimet në kampin bardheblu foli edhe ish-drejtori Arbi Laçi, i cili mbrëmjen e djeshme ishte i ftuar në emisionin Pressing në ABC.
Ish-drejtori bardheblu ka kritika për merkaton dhe menaxhimin e klubit dhe shprehet se Tirana e ka detyrim të përforcohet në merkato dhe të luajë më bukur seç ka bërë. Mbrëmjen e djeshme bardheblutë zyrtarizuan huazimin e Taulant Seferit nga Young Boys.
“Nuk habitem se Tirana është këtu në renditje sepse nuk ngjan me atë të vitit të shkuar. Më shumë më ngjan Vllaznia me atë ekip. Ka boshllëqe dhe shpresoj t’i rikuperojë në janar.
Duhet të ndërhyhet në sulm sepse kampionati nuk fitohet me mbrojtje. Cvetanovskin e njoh dhe është shumë i mirë, por për mënyrën që luan Tirana, nuk do merrja këto lojtarë. Mungesa e Cale dihej para Kupave të Europës.
Të kesh zëvendësin e Cale është detyrim, por është temë e gjatë dhe gjithë kjo na solli këtu ku jemi sot, prandaj s’dua të flas për këtë. Tirana ka detyrimin të përforcohet dhe të bëhet më e bukur për tu parë”, tha Laçi ndër të tjera. /abcnews.al