Norvegjia planifikon të lejojë abortin deri në javën e 18-të të shtatzënisë

schedule21:45 - 23 Gusht, 2024

schedule 21:45 - 23 Gusht, 2024

Qeveria norvegjeze njoftoi këtë të premte se dëshiron të ndryshojë ligjin për abortin, për herë të parë në gjysmë shekulli, në mënyrë që gratë të lejohen të ndërpresin shtatzëninë deri në javën e 18-të.

Ndryshimet e propozuara janë “në përputhje me praktikën e sotme”. “Pothuajse askujt nuk i refuzohet kërkesa për abort pas javës së 12-të”, tha ministri norvegjez i shëndetësisë Jan Christian Vestre.

Ai theksoi se e drejta e grave për të vendosur për një abort është një nga parimet bazë në këtë vend, raporton AP.

Ligji norvegjez aktualisht lejon abortet legale deri në 12 javë, por shumë gra shtatzëna kërkojnë dhe bëjnë abort pas tre muajsh.

Instituti Norvegjez i Shëndetit Publik tha se shkalla e abortit ka qenë “historikisht e ulët për disa vite” me rreth 12,000 ndërprerje të planifikuara në vit, pas një rritje në 2022.

Vitin e kaluar në Norvegji janë kryer rreth 12.814 aborte, që është një rritje prej 6.7 për qind krahasuar me vitin 2022, transmeton Tanjug.

Aborti falas u prezantua në Norvegji në vitin 1978 dhe gratë mund të zgjedhin të bëjnë një abort në mënyrë kirurgjikale ose me ilaçe.

Projektligji ka nevojë për një shumicë votash, 85 nga 169, në parlamentin norvegjez, dhe deri më tani rreth 80 deputetë kanë thënë se do të votojnë për ligjin e ri. Ndërkohë, ende nuk dihet se kur do të mbahet votimi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!