Një xhami në rrethinat e Oslos, në Norvegji ka rënë pre e një sulmi me armë si ai në Kristçërç të Zelandës së Re. Për fat të mirë nga sulmi nuk ka patur viktima, por dyshohet që autori, një 20-vjeçar norvegjez, të ketë vepruar për motive raciste.
Një person është arrestuar në Norvegji pas një incidenti me armë të verifikuar në një xhami, që la një të plagosur. Policia lokale deklaroi se një person hapi zjarr në qendrën islamike Al Nur, në rrethinat e kryeqytetit Oslo. Ndërsa më vonë, një grua u gjet e vdekur në shtëpinë e të dyshuarit.
Ky i fundit është rreth 20 vjeç, shtetas norvegjez i zonës ku ndodhi sulmi dhe tani akuzohet se ka vrarë një të afërm. Policia tha se autori veproi i vetëm kur sulmoi xhaminë. Drejtori i objektit të kultit deklaroi ndërkohë se i plagosuri ishte një 75-vjeçar, anëtar i kongregacionit.
“Një nga anëtarët tanë u qëllua nga një person i bardhë që mbante një helmet dhe uniformë”, deklaroi drejtuesi. Sipas tij, autori ishte pajisur me dy armë të tipit shotgan dhe një pistoletë kur ia behu në ambientet e xhamisë, por u rrethua nga njerëzit përpara se të vinte policia. Kjo e fundit deklaroi se pas të shtënave disa armë u gjetën në ambientet e xhamisë, e cila ndodhet në qytezën Baerum.
Sa u takon motiveve të veprimit të 20-vjeçarit, për momentin ato janë të paqarta, por dyshohet që të jenë me bazë urrejtjeje. Më herët xhamia ku ndodhi ngjarja kishte rritur masat e sigurisë pas sulmeve në Kristçërç të Zelandës së Re, ku mbetën të vrarë 51 persona./ABC News Albania 24/7