Norvegji, autori i sulmit në xhami nuk pranon fajin

schedule14:58 - 12 Gusht, 2019

schedule 14:58 - 12 Gusht, 2019

Autori i sulmit ndaj një xhamie në Oslo të Norvegjisë, i cili akuzohet nga autoritetet për terrorizëm dhe vrasje, ka zgjedhur të heshtë përpara hetuesve dhe të mos e pranojë fajin. Ndërkohë, nga hetimet është zbuluar se ai kishte simpati për të djathtën ekstreme dhe urrente emigrantët.

Personi i dyshuar si autor i të shtënave në një xhami të Norvegjisë nuk ka pranuar krimin për të cilin akuzohet dhe ka refuzuar të flasë me hetuesit.

Lajmin e ka bërë të ditur për agjencinë e lajmeve “Reuters” avokati i tij, sipas të cilit autori po ushtron të drejtën e tij për të mos u marrë në pyetje dhe nuk ka ndërmend të pranojë fajin.

21-vjeçari Filip Manshau, i cili jetonte pranë qendrës islamike Al Nur në rrethinat e Oslos, kishte shprehur pikëpamje pro së djathtës ekstreme dhe kundër emigrantëve përpara se të kryente sulmin.

Policia po përpiqet ta mbajë atë të ndaluar nën dyshimin e vrasjes dhe nën akuzën e terrorizmit, për shkak se me veprimin e tij përhapi frikë në radhët e popullsisë.

Prokurorët kërkojnë që ai të mbahet në izolim për 4 javë, pa patur akses në ambjentet e jashtme, në mjetet e telekomunikacionit dhe pa u kontaktuar nga vizitorë apo media.

Gjatë sulmit i dyshuari u ndalua nga një 65-vjeçar, punonjës i qendrës islamike, që arriti t’ia hiqte armët nga duart, duke parandaluar hapjen e zjarrit ndaj të pranishëmve.

Nëse shpallet fajtor për terrorizëm, 21-vjeçari rrezikon të dënohet me 21 vjet burg dhe po aq për vrasjen e së motrës së tij 17-vjeçare, para se të kryente sulmin./ABC News Albania 24/7