Normalizohet situata nga reshjet në vend, po punohet për të riparuar dëmet

schedule11:03 - 12 Dhjetor, 2022

schedule 11:03 - 12 Dhjetor, 2022

Situata e krijuar nga reshjet në vend paraqitet më e qetë gjatë ditës së sotme, ndërsa po punohet për riparimin e dëmeve të shkaktuara.

Në bashkitë Lezhë, Shkodër, Shijak, Krujëka një tërheqje të ujit, ndërsa në Mirditë, në afërsi të qytetit Rrëshen forcat po punojnë për riparimin e një segmenti rruge, të dëmtuar nga prurjet e shumta të përroit të Zmejës.

Njoftimi:

Sipas të dhënave të marra nga Drejtoria e Gatishmërisë dhe Koordinimit të Përgjigjes Emergjente, në Agjencinë e Mbrojtjes Civile në bashkëpunim me prefekturat, me emergjencat civile në bashkitë e qarqeve, apo drejtuesit e Njësive të Qeverisjes Vendore, sot situata e krijuar si pasojë e reshjeve është e qetë. Lumenjtë janë në kuotat e tyre normale, akset rrugore janë të qarkullueshme, ndërsa grupet e punës vazhdojnë në teren për riparimin e dëmeve të shkaktuara.

Ndërhyrja e menjëhershme nga strukturat përgjegjëse, si ato bashkiake, kontraktorët e mirëmbajtjes së rrugëve apo OSHEE ka bërë që situata të normalizohej shpejt.

Ka tërheqje të ujit në disa sipërfaqe në bashkinë Lezhë, Shkodër, Shijak, Krujë.

Në bashkinë Mirditë, në afërsi të qytetit Rrëshen forcat po punojnë për riparimin e një segmenti rruge, të dëmtuar nga prurjet e shumta të përroit të Zmejës. Në fshatin Lgjin, njësia administrative Orosh, fadromat e bashkisë janë duke punuar për pastrimin e rrugës.

Është mundësuar qarkullimi normal në fshatin Bogë, në njësinë administrative Shkrel, ku pati vërshim të përroit të Bogës.

Po ashtu ndërhyrja në kohë normalizoi situatën që u krijua për shkak të prurjeve të përroit të Çullos në Gjirokastër si dhe në lagjen “Lenxat”, në Lazarat si pasojë e prurjeve të përroit të Sopotit.

Kontraktorët kanë punuar dhe normalizuar situatën edhe në rrugën mes fshatrave Bënçë dhe Lekdush në Tepelenë.

Normale paraqitet sot situata edhe në Durrës, Krujë, Vlorë, Fier, ndërsa nuk janë raportuar probleme nga qarqet e tjera të vendit, si pasojë e kushteve të motit.

Sipas të dhënave të Intitutit të Gjeoshkencës si dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak moti parashikohet i vranët me intervale të pakta e kthjellime, reshje shiu të herëpasherëshme me intensitet kryesisht të ulët në pjesën më të madhe të territorit. Në zonën e veriut dhe pjesërisht në zonën e qendrës reshjet hera – herës do të jenë me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave. Në lartësitë mbi 800-900 në verilindje  dhe juglindje reshje bore me intensitet të ulët deri mesatar.

Agjencia e Mbrojtjes Civile, në Ministrinë e Mbrojtjes është duke ndjekur me prioritet situatën, në bashkëpunim me autoritetet vendore, në mënyrë që të koordinohet puna për një ndërhyrje të menjëhershme në rast problematikash që mund të krijohen nga reshjet. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!