Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi kalojnë në finale, sigurojnë medaljet e argjendta në Baku

schedule12:17 - 22 Shtator, 2023

schedule 12:17 - 22 Shtator, 2023

Xhudistet e Kosovës, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi kanë siguruar finalet e mëdha në kategoritë e tyre në Grand Slamin e Bakut në Azerbajxhan, ku paraqiten 446 xhudistë nga 61 shtete të ndryshme.

Kosova ka siguruar tashmë dy medalje të argjendta në këtë Grand Slam.

E para është xhudistja Nora Gjakova, e cila ka siguruar tashmë finalen e madhe në kategorinë deri në 57 kilogramë. Në raundin e dytë, Nora fitoi me ‘ippon’ ndaj polakes Arleta Podolak, në raundin e tretë fitoi ndaj gjermanes Seija Ballhaus, ndërsa në çerekfinale ajo mposhti Priscilla Gneton e Francës.

Në gjysmëfinale, xhudistja pejane mposhti turken Hasret Bozkurt, për të kaluar në finalen e madhe, ku do të takohet me Eteri Liperteliani të Gjeorgjisë.
Finalen dhe medaljen e argjendtë e ka siguruar edhe Distria Krasniqi në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Në luftën e parë, Distria mposhti me ‘Waza-ari’ brazilianen Jessica Pereria, ndërsa në çerekfinale ajo triumfoi ndaj marokenes Soumiya Iraoui.

Në gjysmëfinale, pejania mori një fitore të madhe ndaj italianes Odette Giuffrida, për të siguruar finalen e madhe ku do të ndeshet me japonezen Kisumi Omori./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!