‘N’kufi’/ Kroi i lotëve. Kufiri që ndante shqiptarët, fshati “i prerë” në mes

schedule18:30 - 15 Shtator, 2024

schedule 18:30 - 15 Shtator, 2024

Kroi i Lotëve

Kufiri midis shqiptarëve e ndante dikur një fshat mes për mes, por tek kroi i fshatit, banorët gjenin mënyra sesi të thyenin traun e hekurt.

Fshati Pogaj në Shqipëri e Gorozhupi në Kosovë u ndanë para më shumë se një shekulli. Banorët merrnin ujë në një krua të përbashkët që ruhej nga ushtarët në të dy anët e kufirit.

Kroi ishte vendi ku “shkëmbeheshin” informacione për atë që ndodhte me familjet e ndara në të dy anët e kufirit të hekurt. Banorët komunikonin në mënyrat e tyre për të dhënë dhe për të marrë informacion për familjarët e mbetur andej e këndej kufirit, për lindjet, vdekjet, shëndetin, dasmat.

Fshati Gorozhup “i prere” ne mes nga kufiri ishte zonë ushtarake që nga viti 1913 e deri ne çlirimin e Kosovës. Nebi Tejeci në Gorozhup na thotë se bisedat ne krua shërbenin për t’i treguar anës tjetër të kufirit për lindjet, martesat dhe vdekjet. “Shqiptare jemi, ata dhe ne”, thotë plaku I Gorozhupit. Shani Tanaj rikujton se komunikimi në atë kohë ishte shumë i vështirë, dhe as nuk guxonin të flisnin drejtpërsëdrejti.

Një marrëveshje midis Shqipërisë dhe Kosovës për 20 pika kufitare për banorët në këto zona përreth kufirit, është shumë e rëndësishme për banorët. Ata presin edhe ndërtimin e rrugës që do ta lidhë siç duhet fshatin që tashmë është ribashkuar. Kruma në njërën anë të kufirit dhe Hasi i Kosovës janë një territor i ndarë në mes nga kufiri.

Në Shqipëri, Hasi përmban 32 fshatra ndërsa në Kosovë 38 fshatra, nga të cilat, 22 i takojnë komunës së Gjakovës dhe 16 asaj të Prizrenit.

Besarie Tanaj në Gorozhup e dashuron këtë zonë dhe thotë se nuk do ta ndërronte as me qytetin. Hasjanët janë shume te durueshëm, me shume se gratë durojnë burrat, na thotë nusja e Gorozhupit. Labinot Tanaj është një nga të rinjtë që ka emigruar në Rumani ku punon si bukëpjekës.

Kurbeti I ka marre djemtë e fshatit, por kokën e kanë pas. “Por nusen patjetër do ta marr shqiptare”, na thotë Labinoti.

Ecim drejt Hasit të Shqipërisë, drejt Pogajt, lagjjes përtej kufirit. Beqir Thaçin e takojmë në Domje të Hasit. Kloni me tela me gjemba ka qenë 20 metra nga fshati Pogaj, na thotë ai, në shtëpinë malore me një kopsht të mrekullueshëm me lule. Beqiri është nip i Prizrenit, “vendi i nanës” së tij, e cila u takua me familjarët e saj pas 40 vjetësh.

Fshati i bukur buze Drinit, është aty ku malet takohen me lumen që rrjedh kokëfortë siç ka bërë në shekuj. Ka parë dhe ka përjetuar kaq shumë ky lumë…Indrit Thaçi na tregon për luftën e Kosovës kur banorët u detyruan të shpërngulen nga fshati dhe kur filluan bombardimet e Aleances.

“U mbush qielli me avione”, thotë ai duke parë nga qielli. Edhe familja e Indritit është në të dyja anët e kufirit, nipa dhe daja, familje që u ribashkuan pas çlirimit të Kosovës. Nusja e tij Albjona, e dashuron fshatin e bukur malor me fëmijët që kanë mbushur oborrin e shtëpisë. Klima është e shëndetshme, ka shkolle dhe qendër shëndetësore, thotë ajo.

Hasi I ndarë në vitin e errët 1913, është ribashkuar. Kënga e zogjve te malit të shoqëron gjithandej në këto rrugë malore.

Zona është tani në pritje të bujtinave dhe turizmit në të katër stinët, me shtëpitë e gurta, oborret me lule dhe Drinin që rrjedh rëndë siç ka bërë për mijëra vjet!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!