Një angazhim i marrë gjatë mbledhjes së përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Kosovës, që tashmë afron edhe më shumë dy vendet tona jo vetëm fizikisht ,por edhe ekonomikisht duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve në të dyja anët e kufirit. Sidomos për gjashtë fshatrat e thellë Zapod, Kerstec, Pogaj, Gorozhup, Dobrune, Blinishte, të bashkive Has, Kukës si dhe Komunat e Prizrenit dhe Dragashit në Kosovë, do të deklaronte kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, me rastin e hapjes së rrugës Dobrunë-Blinisht, Has, në kufirin Kosovë-Shqipëri.
Këtu ishte dikur një bazë e ushtrisë jugosllave, në kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës, rreth 2 kilometra larg nga fshati Dobrunë në Shqipëri dhe 1 kilometër larg fshatit Goden i Gjakovës, në Kosovë. Kjo bazë u bombardua nga NATO në 1999. Qindra kilometra larg kryeqytetit, dhe dhjetëra kilometra nga Kukësi, fshati Dobrunë ndodhet në kufi me Kosovën, në Bashkinë e Hasit.
Fshati Dobrunë i Shqipërisë dhe fshati Goden i Kosovës dikur kanë qenë pothuajse të ndaluara për shqiptarët Kosovës dhe Shqipërisë. Kufiri I bie mes përmes një lagjeje të Dobrunës që quhet Zylfajt. Banorët e Dobrunës dhe Godenit i kanë edhe tokat këtej e andej kufirit.
Godeni e ka vuajtur shumë luftën. Vetëm në një ditë, në 25 prill 1999 në oborrin e shkollës u masakruan 22 burra të fshatit, prej të cilëve 4 mësues. Banorët e tjerë në mbrëmjen e asaj ditë kaluan kufirin dhe u strehuan në Krumë. Por kufiri nuk ekziston më si i tillë. Banorët kalojnë lirshëm nga njëra anë në tjetrën dhe trau i hekurt që vriste, nuk është më./abcnews.al