Njohja e gjenocidit Armen nga SHBA, përshkallëzon marrëdhëniet midis vendeve

schedule10:13 - 27 Prill, 2021

schedule 10:13 - 27 Prill, 2021

Nga Hamdi Firat Buyuk, Balkan Insight

Presidenti i SHBA Joe Biden ka shkaktuar indinjatë te aleati i  NATO-s Turqia, pasi ka njohur zyrtarisht masakrën kundër armenëve nga Perandoria Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore si gjenocid.

“Çdo vit, në këtë ditë, ne kujtojmë jetët e të gjithë atyre që vdiqën në gjenocidin armen të epokës Osmane dhe duhet të bëjmë çmos për të parandaluar  mizori të tilla që të mos ndodhin më kurrë,” tha Biden në 24 Prill.

“Duke filluar nga 24 prilli 1915, me arrestimin e intelektualëve armenë dhe udhëheqësve të komunitetit në Konstandinopojë nga autoritetet osmane, një milion e gjysmë armenë u dëbuan dhe  masakruan në një fushatë shfarosjeje.

Ne nderojmë viktimat e Meds Yeghern në mënyrë që tmerret e asaj që ndodhën të jenë gjithmonë pjesë e historisë, “shtoi Biden.

Turqia kritikoi vendimin e Biden, duke e kërcënuar se do të kundërpërgjigjet gjatë muajve të ardhshëm, sipas Ibrahim Kalin, zëdhënësi presidencial. Grupet armene vlerësojnë se rreth 1.5 milion njerëz u vranë nga Perandoria Osmane që nga viti 1915, pasi qeveria e atëhershme vendosi t’i dëbojë ata nga atdheu i tyre në shkretëtirat e Sirisë dhe Irakut për shkak të bashkëpunimit të pretenduar me Rusinë dhe veprimtarive të bandave armene kundër civilëve dhe ushtrisë osmane.

Turqia ka hedhur poshtë pretendimet.

“Unë kujtoj me respekt armenët osmanë që humbën jetën në Luftën e Parë Botërore, një tragjedi që ka shkaktuar shumë dhimbje në botë, tha Erdogan.

Grupet e mëdha të diasporës së Armenisë kanë ushtruar presion ndaj Presidentëve Amerikanë për të njohur masakrat e Luftës së Parë Botërore si gjenocid për dekada. Sidoqoftë, Presidentët e SHBA-së donin të shmangnin përkeqësimin e marrëdhënieve me një aleat kaq të rëndësishëm strategjik të NATO-s.

Ekspertët thonë se vendimi i tij tregon se sa janë thelluar marrëdhëniet SHBA-Turqi, megjithëse disa shtojnë se kriza e fundit mund të shihet si një mundësi nëse të dy palët ndërmarrin hapat e duhur në vend që të përshkallëzojnë krizën.

“SHBA dhe Turqia nuk kanë pasur marrëdhënie të mira,”  tha për BIRN Mehmet Yegin, një ekspert i marrëdhënieve SHBA-Turqi me Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, SWP, në Berlin.

“Por pasi të kapërcejmë tronditjen e menjëhershme të këtij vendimi dhe çështjeve të tjera … Mund të ketë një shans për të përmirësuar marrëdhëniet tona dhe për t’i lënë pas këto ditë të këqija,” shtoi ai.

Sidoqoftë, nëse gjykatat e SHBA-së fillojnë të kërkojnë dëmshpërblim për qytetarët amerikanë me origjinë armene që humbën anëtarët e familjes së tyre në masakrat e epokës osmane, kriza mund të përshkallëzohet më tej, sipas Yegin.

“Njohja e gjenocidit armen është diskutuar për dekada. Ajo u bë e njohur kur SHBA vendosi sanksione ndaj Turqisë për shkak të operacioneve të saj ushtarake në Qipro në 1974, “tha Yegin.

“Grupet e diasporës armene me mbështetjen e diasporës greke filluan t’i bëjnë presion Kongresit Amerikan. Turqia gjithmonë i hodhi poshtë këto pretendime, por me kalimin e kohës ajo u bë tema kryesore në marrëdhëniet SHBA-Turqi, “vazhdoi Yegin.

Deri tani, shtoi ai, Presidentët e SHBA gjithmonë bllokuan këto iniciativa dhe i dërguan letra Kongresit për të mos kaluar ndonjë rezolutë mbi Gjenocidin Armen për shkak të “rëndësisë së Turqisë si një aleat strategjik”.

“Kongresi kaloi rezolutat e gjenocidit në një kohë kur Turqia po kryente operacione të njëanshme ushtarake në Siri në 2019 kundër militantëve Kurdë të cilët u mbështetën nga SHBA, “kujton Yegin.

“Reagimi ndaj lëvizjeve të Turqisë në mediat dhe Kongresin Amerikan ishte i ashpër. Fakti që Senati miratoi rezolutën e gjenocidit me unanimitet tregoi se sa rëndësi kishte Ankaraja në Uashington.

Por operacionet ushtarake të Turqisë në Siri kundër kurdëve nuk janë arsyeja e vetme për përkeqësimin e marrëdhënieve SHBA-Turqi. Politika e jashtme agresive e Turqisë në Lindjen e Mesme, përfshirja e saj në konfliktin libian, sulmet e Erdoganit ndaj Rusisë dhe blerja e raketave ruse S-400 nga Turqia – si dhe përkeqësimi i demokracisë dhe rekordi i të drejtave të njeriut – kanë dobësuar të gjitha lidhjet midis Ankarasë dhe Uashingtonit.

Si rezultat, SHBA hoqi Turqinë nga projektet e avionëve luftarakë F-35 dhe Kongresi vendosi sanksione ndaj Turqisë. Armenët, të cilët shënuan Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit Armen me ceremoni dhe mitingje të shtunën, janë të kënaqur nga vendimi i Uashingtonit.

“SHBA ka demonstruar edhe një herë angazhimin e saj të palëkundur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe vlerave universale,” tha Kryeministri Armen Nikoll Pasinyan në Twitter në 24 Prill.

Deri më tani, 30 vende, përfshirë Francën, Rusinë, Gjermaninë, Sirinë dhe Argjentinën, të gjitha këto me bashkësi të konsiderueshme të diasporës armene, kanë njohur masakrën armene si gjenocid.

“Presidentët e SHBA-së gjithmonë i ndaluan këto rezoluta dhe nuk përdorën termin gjenocid në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit Armen në 24 Prill, sepse Turqia ishte e rëndësishme kundër Rusisë, një aleat i besuar demokratik në Lindjen e Mesme, por sot kemi probleme në të gjitha këto fusha, ”vuri në dukje Yegin.

“Pra, Gjenocidi Armen u njoh zyrtarisht si një mënyrë ndëshkimi kundër Turqisë,” shtoi ai.

 

Sidoqoftë, disa ekspertë janë optimistë për të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Turqi, duke thënë se deklarata e Biden ishte e rëndësishme

“Që nga vitet 1980, mobilizimi i komunitetit turko-amerikan për të parandaluar Kongresin Amerikan dhe Shtëpinë e Bardhë të përdorë termin” gjenocid armen “është bërë themeli i diasporës, duke nisur edhe iniciativa të tjera,” tha ai.

“Një fokus i tillë i ngushtë, i inkurajuar nga Ankaraja, ka shteruar energjitë e diasporës Turko-Amerikane dhe ka tensionuar marrëdhëniet e tyre jo vetëm me armeno-amerikanët por edhe me një listë të gjatë të entive të tjera “, tha Erdemir.

Erdemir mendon se çështja e Gjenocidit Armen nuk ka më nevojë të tensionojë marrëdhëniet.

“Tani që Senati, Dhoma e Përfaqësuesve dhe Shtëpia e Bardhë kanë njohur gjenocidin armen, diaspora turko-amerikane do të ketë një mundësi t’i përkushtohet kauzave më të frytshme,” tha ai.

“Në fund të fundit, lëvizja e Biden, e cila ka provokuar reagime turko-amerikane, mund të çojë në forcimin e fuqisë lobuese të Turqisë përmes diasporës turko-amerikane, pasi kjo e fundit nuk do të ndikohet më nga një formë e aktivizimit,  “përfundoi ai. /Përktheu Sonila Backa-abcnews.al