Hulumtuesi në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) Arbër Fetahu, thotë se propozimi i palës kosovare për Asociacionin është i duhur, por duhet të sigurohet mbështetja e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që i njëjti të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Fetahu thekson për KosovaPress se draft-statuti i prezantuar dje në Bruksel nga ish-ekipi menaxhues, ku flitet për kompetenca ekzekutive është i papranueshëm për vendin.
“Propozimi i palës kosovare për asociacionin është i duhur, ndonëse i vonuar. Pasi është kërkuar më parë që të paktën Qeveria e Kosovës të ketë një vizion, koncept se si do të dukej statuti i Asociacionit. Ndërkaq, veprimi që është bërë tash ka përkuar me strategjinë e Kosovës që mos të jetë Asociacioni pika kryesore, por kur të vjen koha të diskutohet për të, gjë që mos të bëhet si parakusht. Besoj se energjia e muajve të ardhshme do të drejtohet ekskluzivisht në themelimin e Asociacionit dhe shoshitjen e opsioneve. Njërën anë atë të prezantuar nga kryeministri Kurti dhe atë nga ekipi menaxhues i cili përsëri është derivat i Qeverisë së Kosovës, por që ka mbështetje nga Serbia. Mbetet të shihet se si ndërmjetësuesi do t’i balancojë këto dy kërkesa dhe statute që do të vijnë në javët dhe muajt në vijim”, thotë ai.
Sipas tij, çfarëdo statuti i Asociacionit duhet të dërgohet fillimisht për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.
Fetahu e përmend rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog, ku thekson rëndësinë që të sigurohet përkrahja e tyre që Asociacioni nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive.
“Është e rëndësishme të shihet mbështetja amerikane për propozimin e kryeministrit Kurti apo vizionin që ka për statutin. Nëse ka një përkrahje amerikane mbi propozimin e Kurtit konsiderojmë se mund të shkohet në krijimin e një Asociacioni më të butë, në kuptimin e kompetencave dhe shtrirjes gjeografike”, deklaron Fetahu.
Në anën tjetër, Fetahu e mirëpret nënshkrimin e deklaratës për të zhdukurit, por thotë se e rëndësishme është që e njëjta të zbatohet në praktik.
Dje në Bruksel, në takimin Kurti-Vuçiq është prezantuar drafti fillestar për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. I njëjti u konsiderua i papranueshëm nga kryeministri Albin Kurti, derisa bëri të ditur se ka prezantuar një vizion të tij se si duhet të duket statuti i Asociacionit. Ndërkaq, gjatë ditës së sotme, Qeveria e Kosovës ka shkarkuar ekipin menaxhues që e ka hartuar draft-statutit e Asociacionit./KosovaPress