Njoftuan Agim Kajmakun para arrestimit, nën hetim 7 drejtues të Policisë së Shtetit

schedule16:19 - 18 Nëntor, 2019

schedule 16:19 - 18 Nëntor, 2019

Për më shumë se një jave kanë dështuar 13 aksione policore për arrestimin e ish-kryebashkiakut socialist të Vorës, Agim Kajmaku. Dyshimet janë për dekonspirim të aksionit nga radhët e uniformave blu, ku 7 prej tyre po verifikohen për rrjedhje informacioni nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministri.

Arratisja e Agim Kajmakut, ish-kryetar i Bashkisë së Vorës pak para se të arrestohej mëngjesin e 11 nëntorit ka bërë që shtatë drejtues të lartë të policisë së Shtetit dhe të drejtorisë Vendore në Tiranë të verifikohen për dekonspirim.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në ministrinë e Brendshme, ka sekuestruar praktikën e ndjekur nga vendimi i marrë në gjykatën e Tiranës deri te dorëzimit i materialit sekret në sekretarinë e policisë së Tiranë.

Policia pretendon se ka aktivizuar një numër të lartë efektivësh për të arrestuar Kajmakun, a thua sikur po kapin një të shumëkërkuar për krime të rënda kundër jetës. Por behët fjalë për ish-kreun e bashkisë së Vorës që u votua më 30 qershor në siglën e Partisë Socialistë.

Shpenzimi i energjive si edhe dyshime për dekonspirim të aksioneve nga vetë forcat blu kanë bërë që Kajmaku të vijojë të qëndrojë në arrati. Prej më shumë se një javë, prokuroria dhe policia po negociojnë me familjarët dhe avokatin  për dorëzimin e tij.

Dhe dorëzimi i 48-vjeçarit e ka një kusht. Agim Kajmaku kërkon që hetimi ndaj tij të bëhet gjendje të lirë. Kjo ishte kërkesa që u bë në gjykatën e Apelit për të kundërshtuar vendimin e shkallës së parë që ishte ai i “arrestit në burg” nga avokatit i Kajmakut, Isuf Shehu.

Sipas prokurorisë së Tiranës ka rezultuar se ish-kreu i bashkisë së Vorës nuk kishte raportuar në formularët e dekriminalizimit se ishte në një proces gjyqësor në Greqi.

Kajmaku është nën hetim edhe për ushtrim të funksioneve pas dhënies fund të detyrës duke qenë se, ka shkarkuar dy nënkryetar të bashkisë pikërisht ditën kur Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i ndërpreu mandatin si edhe ka shpërdoruar detyrën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!