Një vit pas vrasjes i sekuestrohen 1 milion euro një trafikanti droge

schedule11:39 - 23 Gusht, 2018

schedule 11:39 - 23 Gusht, 2018

Sekuestrohen rreth 1 milion euro të një 39 vjeçari të vrarë një vit më parë në Greqi. Paratë ishin në disa llogari në banka të nivelit të dytë në vend, të regjistruara në emër të tij dhe të familjarëve. Ka dyshime se këto të ardhura janë siguruar nga trafiku i drogës.

Policia e Shtetit ka sekuestruar rreth 1 milionë euro në llogari bankare në emër të Roland Shëmbitrasit dhe familjarëve të tij. Ky person është vrarë në tetor 2017 në Athinë, ndërsa paratë që u sekuestruan nga operacioni “Forca e Ligjit”, dyshohet të jenë përfituar nga trafikimi i narkotikëve në Greqi. Sekuestroja preventive është vendosur për llogaritë e tij bankare dhe të katër familjarëve të tij, në dy banka të nivelit të dytë. Në Korrik të këtij viti Prokuroria e Pogradecit kishte regjistruar një procedim penal për hetimin pasuror të anëtarëve të familjes së Roland Shëmbitrasit. Disa ditë më pas kjo dosje u transferua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore.

39 vjeçari me origjinë nga Pogradeci, ishte bashkëpronar i lokalit të natës ku u ekzekutua, në lagjen Glifadha, por edhe i tre të tjerëve, po në Athinë. Policia vendase dyshonte se shkak i vrasjes ishte larja e hesapeve mes grupeve kriminale të trafikut të drogës.

Shtypi grek shkruante se ai kishte nofkën “tenxherja”, për shkak se njihej për përpunimin që i bënte kokainës.

Në vitin 2012, ishte arrestuar nga policia, pasi kishte punësuar 10 persona, që shpërndanin kokainë me motorë tek klientët VIP të 39-vjeçarit. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!